2013-10-18 17:27:08

Shenjtorët e javës


Më 21 tetor përkujtohen: Shën Korneli, shën Ursula, shën Çelina, i lumi Karli i Augsburgëve. Për shën Kornelin, në Veprat e Apostujve, lexohet: “Në Çezare ishte një njeri me emrin Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, njeri i përshpirtshëm, që besonte në Hyjin, si ai, ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit”. Shpirti Shenjt dërgon Pjetrin tek ky njeri, që jetonte me drojën e Zotit. Pas predikimit të Pjetrit, për habinë e të krishterëve, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë të pranishmit në atë shtëpi. Ky fakt e bëri Pjetrin të thoshte: “Vallë, a mund ta ndalojë kush ujin, të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?”
Më 22 tetor përkujtohet i lumi Gjon Pali II. Mbetet e paharrueshme thirrja, që i drejtoj botës nga froni i Shën Pjetrit ditën kur filloi shërbesën baritore si pasardhës i kreut të Apostujve: “Mos kini frikë! Hapjani dyert Krishtit!” . Krishti kishte hyrë aq shumë në dyert e hapura të zemrës së Karol Vojtilës, sa ai u bë i ngjashëm me Krishtin në vuajtje e në lavdi. Më 27 prill të vitit të ardhshëm do të kremtohet në Vatikan ceremonia e shenjtërimit të tij.
Më 23 tetor përkujtohet Gjon Kapestrani. Françeskani italian që jetoi ndërmjet shekujve 14-15 shpalli pa u lodhur Ungjillin në Evropën Veriore e Lindore. Gjatë një homelie në Vjenë, tha: «Zakonisht unë fle dy orë ose vetëm një orë. Tani do të më pëlqente të flija e jo të predikoja, por nuk i përkas më vetvetes. Jam i juaji” . Me predikimin e tij synonte të përtërinte moralin e krishterë, të luftonte herezitë e të kundërshtonte kamatën në huadhënie.
Më 24 tetor përkujtohen shën Luigj Guanela e shën Antonio M. Klaret. Duke folur për shën Antonio M. Klaretin, me rastin e shenjtërimit, Papa Piu XII tha: “Ishte njeri me shpirt të madh, a thua se kishte lindur për të shuar kundërshtitë. Edhe pse rridhte nga një familje e thjeshtë, shkëlqeu para botës; i përvuajtur si njeri, por me shpirt madhështor; i përkorë në pamje të jashtme, por i zoti të ngjallë respekt tek të fuqishmit e botës; me karakter të fortë, por me ëmbëlsinë e dashur të atij që e njeh rreptësinë e pendesës”.
Më 25 tetor përkujtohen shën Krizanti e shën Daria, martirë të shekulli III.
Më 26 tetor është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.