2013-10-18 15:29:53

Papa Françesku për Nënë Terezën


Që në fillim të papnisë, Papa Françesku vijon të kujtojë burrat e gratë që, në emër të Krishtit, u shquan në të gjitha fushat e jetës, duke e bërë njeriun më njerëzor e duke mbjellur kudo Fe, Dashuri, Shpresë. Ndërmjet tyre, tri gra të mëdha, tri shenjtore të jashtëzakonshme, tri Tereza: Tereza e Avilës, Terezina e Krishtit Fëmijë dhe Nënë Tereza, figura shembullore, të denja për t’u ndjekur nga gjithë të krishterët.
Në shumë kremtime, Papa e ka cituar Nënë Terezën, duke i dhënë përgjigje disa pyetjeve tejet aktuale, me fjalët e saj e, sidomos, me veprën e saj.

Më 21 maj 2013, duke vizituar Shtëpinë ‘Dhurata e Marisë’ drejtuar nga motrat e Nënë Terezës, në zemër të Vatikanit, me rastin e 25-vjetorit të ditës kur kjo shtëpi iu besua Nënë Terezës, Papa, në përkim me stilin e tij, u bazua mbi tri fjalë: shtëpi, dhuratë e Mari, për të theksuar se “Misionaret e bamirësisë dhe bashkëpunëtorët e tyre e bëjnë të dukshme dashurinë e Kishës për të varfërit”.

Më 28 maj, në Meshën e kremtuar pranë Shtëpisë së Shën Martës, duke theksuar se pa kryqin nuk ka krishterim, Ati i Shenjtë paraqiti si shembull konkret Nënë Terezën.
“Mendoni për Nënë Terezën - kujtoi. Ç’na thotë shpirti i botës për Nënë Terezën. Ah! E lumja Nënë Terezë është një grua e mrekullueshme, që bëri shumë gjëra të bukura për të tjerët... Por shpirti i botës nuk na kujton kurrë se Nënë Tereza ditë për ditë e orë për orë ishte në adhurim... Kurrë! E kjo do të thotë ta rëgjosh veprimtarinë e krishterë thjesht në bamirësi shoqërore. Po kumti i Jezusit shkon deri në palcën e eshtrave, në loçkë të zemrës, hyn në shpirt e na shndërron. E pikërisht këtë nuk mund ta durojë shpirti i botës, nuk e duron, e prandaj vijnë persekutimet! Ta ndjekësh Krishtin nuk është gjë e lehtë. Të ndjekësh Krishtin do të thotë të shkosh, për dashuri, me Të, pas Tij. Me të njëjtin hap, në të njëjtën udhë! E shpirti i botës nuk e lejon këtë e na bën të vuajmë, por me një vuajtje, që i ngjet asaj të Jezusit. E kjo është e bukur, sepse Zoti nuk na lë kurrë vetëm. Kurrë. Është gjithnjë me ne”.
Siç ishte gjithnjë me Nënë Terezën.

Më 27 korrik 2013, në homelinë e Meshës shenjte bashkëkremtuar me 655 ipeshkvij, priftërinj e rregulltarë, që merrnin pjesë në DBR-në në Brazil, për t’u kujtuar se Kisha duhet të jetë e thjeshtë, në se nuk dëshiron që misioni i saj të dështojë, u bëri thirrje: “Kini guxim të çani kundër rrymës! Dilni nga famullitë për të takuar të afërmit e të largëtit”. E, duke cituar Nënë Terezën, Papa i ftoi ta kërkojnë Krishtin ndërmjet të varfërve e pastaj i porositi të promovojnë kulturën e takimit, atë kulturë që ishte shpirti i veprës bamirëse të Nënë Terezës, në përpjekjen për t’i marrë të gjithë njerëzit për dore e për t’i çuar tek Zoti.
Të rrish me Krishtin, nuk do të thotë të izolohesh, nënvizoi më pas Papa; do të thotë të shkosh bashkë me Të drejt të tjerëve. Më vijnë në mendje fjalët e Nënë Terezës së Kalkutës, shtoi Papa: “Duhet të jemi krenare për thirrjen tonë, që na krijon mundësinë t’i shërbejmë Krishtit ndër të varfërit. Krishti duhet kërkuar në favelas, në strehët e mjerimit. Duhet shkuar atje, si shkon meshtari në elter, me gëzim. Jezusi, Bariu i Mirë, është thesari ynë i vërtetë. Ta ngulim gjithnjë më thellë në Të, zemrën tonë”.
Gjatë Mbrëmësores së lutjes në Kopakabana, në DBR-së në Brazil, duke u kujtuar të rinjve të mbarë botës se jeta nuk duhet shikuar nga ballkoni, por duhet jetuar, duke marrë pjesë plotësisht në të, ashtu si Jezusi, se duhet punuar për të ndërtuar një Kishë më të bukur e një botë më të mirë, Papa u drejtoi pyetjen: “Nga duhet të fillojmë? E në vijim kujtoi se një herë, kur ia patën drejtuar po këtë pyetje Nënë Terezës, ajo u përgjigj: “Nga ti e nga unë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.