2013-10-18 15:30:39

Nënë Tereza: hapat drejt procesit të Lumnimit, deri tek dita historike e 19 tetorit 2003


Më 12 dhjetor 1998 Papa Gjon Pali II i dha Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve lejën për hapjen e procesit dioqezan i cili, sipas rregullave, mund të fillonte vetëm pas shtatorit të vitit 2002;
më 9 mars 1999 u caktua si postulator i çështjes, Atë Brian Kolodiejchuk, rregulltar i Misionarëve të Bamirësisë;
më 26 korrik 1999 në Kalkutë u hap faza dioqezane e procesit me 15 kërkesa gjyqësore e me dëgjimin e 113 dëshmitarëve;
më 15 gusht 2001 në Kishën e Shën Mërisë në Kalkutë përfundoi procesi dioqezan: u mblodhën 80 vëllime me 35. 000 faqe;
në shtator 2001 Kongregata përkatëse miratoi dekretin mbi vlefshmërinë e procesit;
në nëntor 2001 Kongregata emëroi si relator, Imzot Josë Luis Gutierrez;
më 26 prill 2002 në Vatikan u dorëzuan katër vëllimet e asaj që njihet si "positio" nga ana e postulatorit të çështjes së beatifikimit.
Më 20 dhjetor 2002, në Sallën Klementine, në Vatikan, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpalli 18 dekrete, që kanë të bëjnë me lumnimin ose shenjtërimin e 9 Shërbëtoreve e 8 Shërbëtorëve të Zotit. Shumica punuan në vreshtën e Zotit në Evropë, të tjerët, në Afrikë e Azi.
Për Nënë Terezën - Gonxha Bojaxhiu, shkruhet: (Motivacioni)
"Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës - Gonxha Bojaxhiu (1910 - 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjegjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjërë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar".
Për Nënë Terezën e Kalkutës - Gonxha Bojaxhiun, veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në elter në një kohë rekord.
Kujtojmë se i lumturi i parë, shpallur vetëm 6 vjet pas vdekjes, është Serafino da Montegranaro;
vjen pastaj Shën Luigj Gonzaga, shpallur i lumtur më 1605, 14 vjet pas vdekjes;
Josemaria Escrivà - më 1992 - 17 vjet pas vdekjes;
Maria Maddalena de' Pazzi - më 1626 - 19 vjet pas vdekjes;
Anuarite Nengapeta, martire - më 1985 - 50 vjet pas vdekjes;
Francesca Cabrini - më 1938 - 21 vjet pas vdekjes
dhe Shën Tereza e Krishtit Fëmijë - më 1923 - 25 vjet pas vdekjes.

Shembulli i tyre është i gjallë e aktual. Propozon rishtas vënien e Krishtit në qëndër të jetës së Kishës e të besimtarit të krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.