Një lule për Nënë Terezën në 10 vjetorin e lumnimit. Një lule reale, a simbolike.
Një lule a një vepër mëshire. Pranë ikonave të saj e sidomos, të varfërve të saj! Një
lule, për Nënën e të mjerëve më të mjerë. Një lule për Nënën e njerëzve të mohuar. Një
vepër të mirë Nënës, që diti të shuajë etjen e Krishtit për dashuri. Një lule për
Nënën e të gjithë shqiptarëve! Një lule për murgeshën katolike, që u bë nënë e
mijëra fëmijëve pa nëna, të cilët diti si moskush t’i rrokë e t’i përkëdhelë. Një
vepër mëshire për atë, që shkeli në shtigje tejet të thepisura, me sarin e thjeshtë
e sandalet simbolike, gjysëm të shkatërruara nga udha e gjatë. Një lule për Nënën,
që u akuzua deri se gaboi shpesh e edhe se mblodhi miliona. Një lule për atë,
që sigurisht milionat nuk i mori me vete në varr. Një lutje për Atë, së cilës i
pëlqente të përsëriste shpesh: “S’ka pikë rëndësie nëse të shajnë: pranoji
sharjet duke vënë paksa buzën në gaz e shko e vijo punën tënde!”.
E kjo lule do të na kujtojë se kur vdes ndonjë personalitet i shquar shekullar, në
vend të tij ulet menjëherë një tjetër. Madje edhe kur vdes një papë, në fronin
e Shën Pjetrit ulet një tjetër. E dimë se Zoti do të thërrasë vazhdimisht njerëz
të tjerë, që shuajnë etjen e Tij për dashuri! Por, ndoshta, një Nënë Terezë tjetër
nuk do të lindë kurrë më?! Një lule shqiptare, për Nënë Terezën, në 10 vjetorin
e Lumnimit!