2013-10-17 17:59:02

Paraqitet filmi “Meshtari don Vojtila në Niegoviç”


U paraqit sot në Radio Vatikan filmi “Famullitari don Vojtila në Niegoviç”, shkruar, drejtuar e prodhuar nga imzot Jarek Çilecki, themelues dhe drejtor i Shërbimit Vatikanas të Lajmeve. Filmi është një udhëtim në jetën e don Karol Vojtilës, të Lumit Gjon Pali II, treguar përmes kujtimeve të Eleonora Mardosh, grua tashmë 87-vjeçare, e cila ka qenë në shërbim të Papës së ardhshëm polak, në famullinë e Niegoviçit. Këtu, Karol Vojtila u dërgua si zv.famullitar, detyrë që e kreu për një vit, nga korriku i 1948-ës deri në gusht të 1949-ës. Me sytë e gruas, që i shërbeu, mund të shohim jetën e njeriut, që shpallet shenjt së shpejti, mendimet dhe ndonjë aspekt të panjohur të punës së tij të përditshme.
Duke qenë edhe gazetar, imzot Jarek Çilecki ka qenë në kontakt të ngushtë me Papën Vojtila dhe e ka ndjekur nëpër shtegtimet e ndryshme në botë. Filmi merr shkas nga libri i tij për Atin e Shenjtë, i cili është lexuar e miratuar nga Gjon Pali II. Xhirimet janë bërë në Poloni, ndërmjet Vadovices, Pierzhovit, Gdovit, Kalì e Niegoviçit, vende shumë të dashura për të Lumin, që do të shpallet shenjt në prill të vitit 2014. Disa nga objektet e përdorura në film kanë qenë vërtet të Karol Vojtilës, si stola dhe këmisha, që protagonisti, Karol Xhuxhek, mban gjatë skenës së një martese, kremtuar në kishën prej druri të Metkovit. Filmi do të jepet, për herë të parë për publikun e gjerë, më 4 nëntor, në Teatrin Groteska të Krakovisë.
Disa fjalë për regjizorin: Imzot Jarek Çilecki është lindur më 15 tetor 1966 pikërisht në famullinë e Niegoviçit, pranë Krakovisë. Pas shkollës së mesme hyri në seminar në Loxh e u diplomua në Teologji në Akademinë teologjike katolike të Varshavës. U shugurua meshtar më 1993 e ka shërbyer në Kazakistan, Ukrainë, Rusi e Moskë. Ka punuar si gazetar për të përjavshmen më të madhe fetare polake “E diela” e ka ngritur televizionin e parë famullitar në Strikov.








All the contents on this site are copyrighted ©.