2013-10-17 15:02:12

Drita e Fesë III


Jemi gjithnjë në kapitullin e parë të Enciklikës Drita e Fesë, që mban titullin: “Besuam në dashurinë”. Në përmbledhjen e kaluar pamë fillin e fesë në Besëlidhjen e Vjetër dhe, veçanërisht, nyjëtimin e këtij filli: nga Abrahami tek populli i Hyjit; nga populli tek Moisiu; nga Moisiu tek populli i zgjedhur. Përvoja vetjake e marrëdhënies me Hyjin është e shartuar në përvojën e bashkësisë. I vetëm dhe në bashkësi me të tjerët, njeriu kërkon dritën që shndrit misterin e jetës e të vdekjes. Historia e Besëlidhjes së Vjetër, megjithatë, merr kuptim plotësisht vetëm në Krishtin. Është e vërtetë se personazhet e Besëlidhjes së Vjetër nuk besonin në Krishtin, por ata besonin në ardhjen e tij.
Feja hebraike është e orientuar drejt ardhjes së Krishti, ndërsa feja e krishterë mbështetet ardhjen e Tij. Jezusi sjell plotësinë e fesë, sepse “historia e Jezusit është zbulimi i plotë i besueshmërisë së Hyjit”. Fjala e Tij “nuk është një fjalë ndër shumë të tjera, por Fjala e amshuar” e Hyjit (n. 15). Ajo që shfaqet në mënyrë bindëse në jetën e Jezusit, është dashuria e Hyjit për njeriun. Vdekja e Krishtit në kryq është kulmi i kësaj dashurie, prova më e madhe e miqësisë së tij me të gjithë njerëzit, edhe me armiqtë. Shkruan Papa: “Pikërisht në kundrimin e vdekjes së Jezusit, feja forcohet e merr një dritë vezulluese, sepse zbulohet si fe në dashurinë e Tij të palëkundshme për ne, që është e aftë të hyjë brenda vdekjes, për të na shpëtuar” (n. 16). Vdekja e Jezusit është rrëfimi bindës i dashurisë së Hyjit dhe ringjallja e Tij është prova më e mirë se Jezusi vetë është i besueshëm: “Meqë është ringjallur, Krishti është dëshmitar i besueshëm (Vep 1,5); Heb 2,17), trualli i fortë i fesë sonë” (n.17).
Jeta dhe vdekja e Jezusit, sikurse edhe veprat që bën, kanë vlerë, sepse burojnë prej qenies së tij: Ai është Biri i Hyjit dhe “pikërisht sepse është Biri i Hyjit, sepse është i rrënjosur në mënyrë absolute në Atin, e ka mundur vdekjen dhe ka bërë të shkëlqejë drita” (n. 17). Në Jezusin, pra, është Hyji vetë i pranishëm në jetën e botës. Ky fakt e kundërshton konceptin e gabuar të kulturës së sotme, e cila “e ka humbur ndjesinë e kësaj pranie konkrete të Hyjit dhe të veprimit të tij në botë” (n. 17). Sot kujtohet se Hyji është në botën e përtejme e nuk ka lidhje me jetën konkrete të njerëzve. Një Hyj i tillë nuk do të ishte i fuqishëm dhe “nuk do të ishte as dashuria e vërtetë, e cila mund të realizojë lumturinë që premton” (n. 17).
Duke qenë se Krishti është i besueshëm, besimi ynë nuk ndalet tek Ai, por, kur na çon tek ai, bën të mundur një tjetër vështrim mbi botën: “Feja jo vetëm shikon Jezusin, por edhe shikon nga pikëpamja e Jezusit, me sytë e tij: është pjesëmarrje në mënyrën e tij të të parit” (n.18).
Papa na kujton se në jetën e përditshme u besojmë njerëzve. Për të ndërtuar një shtëpi i besojmë arkitektit, për një ilaç i besojmë farmacistit, pastaj avokatit e kështu me radhë, prandaj “kemi nevojë për dikë që të jetë i besueshëm dhe ekspert në gjërat e Hyjit” (n.18). Ungjilli sipas Gjonit na kujton se Jezusi na shpjegon Hyjin (Gj 1,18). Të besosh në të do Të thotë t’i besosh Atij, me fjalë të tjera, ta shohësh botën siç e sheh Ai. Në këtë mënyrë, feja, jo vetëm që nuk na shkëput nga realiteti, por na bën të hyjmë edhe më thellë brenda tij, sepse është fe në Krishtin, i cili, duke u mishëruar, e ka përqafuar të gjithë realitetin.
Lidhja me Jezusin me anë të besimit, e shndërron njeriun, i jep një jetë të re. Jeta e re është dhurata e fesë. Me anë të saj kuptojmë se shpëtimi nuk vjen si fryt i përpjekjeve tona, por si rrjedhojë e kujdesit të Hyjit, që na ka dhënë vetveten në Krishtin. Dashuria e Hyjit e mbush zemrën e njeriut, e bën të ngjashëm me veten dhe e shtyn ta dëshmojë Krishtin si shpëtimtar. “Përjashta këtij njëtrajtësimi me Dashurinë, përjashta pranisë së Shpirtit që e derdh dashurinë ndër zemra, është e pamundur ta shpallim Jezusin si Zot (n.21).
Lidhja me Jezusin e fut të krishterin në bashkësi: “Sikurse Krishti përfshin në vetvete të gjithë besimtarët, që formojnë trupin e tij, i krishteri e kupton vetveten brenda këtij trupi, i lidhur në mënyrë burimore me Krishtin dhe me vëllezërit në fe” (n. 22), prandaj “feja nuk është fakt privat, konceptim individualist, opinion subjektiv, por lind nga dëgjesa dhe është e caktuar për t’u kumtuar e për t’u shpallur” (n. 22).








All the contents on this site are copyrighted ©.