Rubrika “Te gurra e besimit”: “Idhujt e të krishterëve” (Emisioni XXVIII)
Ndoshta na duket e çuditshme të flasim për idhujt e të krishterëve. E ndoshta edhe
nuk mendojmë fare se i kemi në zemër tonë. Prandaj po i kushtojmë vëmendjen e duhur,
në emisionin e 28-të të rubrikës sonë “Te gurra e besimit”, kushtuar pikërisht Vitit
të Fesë. Shprehja ‘idhujt e të krishterëve’ duhet të na bëjë të mendojmë, pikërisht
si të krishterë. E edhe t’i bëjmë vetes pyetjen: “A ësht, feja jonë e pastër dhe
tërheqëse aq sa, duke u nisur prej saj, edhe paganët, që sot janë në kërkim e bëjnë
një mori pyetjesh, ta ndjejnë dritën që buron nga një Zot i vetëm, të shoqërohen me
ne në tremet e lutjeve tona e, duke gjetur përgjigjet për pyetjet e tyre, të bëhen
edhe ata adhurues të një Zoti të vetëm? A jemi plotësisht të vetëdijshëm se lakmia
është idhujtari? E se mund të hyjë edhe në zemrën tonë e në jetën tonë të përditshme?
Thua nuk i lejojmë, në mënyra nga më të ndryshmet idhujt të hyjnë edhe në botën e
fesë sonë? A jemi të gatshëm ta lëmë veten përherë në dorë të Zotit, që të na pastrojë,
duke na krijuar kushtet për ta flakur jashtë nga shpirti e nga Kisha, gjithçka që
i kundërvihet? Këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjet, në heshtje, çdo besimtar, me vetëdijen
se idhujt mund të depërtojnë edhe atje, ku më pak mendohet. E se duhen flakur nga
skutat ku kanë zënë vend.