2013-10-16 13:33:25

Papa Fao-s: uria në botë është shkandull; mbi të mund të fitohet me vetëdije solidare


“Uria dhe ushqimi i pamjaftueshëm nuk mund të shikohen si fakt normal: kështu u shpreh Papa, duke kujtuar emergjencën e ushqimit, një nga sfidat më serioze të njerëzimit. Ati i Shenjtë e denoncoi individualizmin, kulturën e përjashtimit e të indiferencës lidhur me këtë problem kaq të mprehtë, në mesazhin drejtuar Fao-s, me rastin e Ditës botërore të ushqimit, kremtimet e së cilës nisën sot, me parullën: “Njerëz të shëndoshë, në sisteme të shëndosha ushqimore”. Mesazhin e Atit të Shenjtë në mbledhjen plenare e lexoi imzot Lugji Travalino, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatave e Organizmave të OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (F.A.O., I.F.A.D. dhe P.A.M.)
“Janë shkanduj të vërtetë, uria, ushqimi i keq e i pamjaftueshëm në botë”. Nuk përdor gjysma fjalësh Papa Françesku, duke kërkuar jo vetëm përgjigjen për emergjencat e menjëhershme, por edhe përballimin, së bashku, në të gjitha nivelet, të këtij problemi, që rëndon mbi ndërgjegjen vetjake e shoqërore, për të gjetur, kështu, zgjidhje të drejta e të qëndrueshme. E bën edhe një thirrje të posaçme: “Askush nuk duhet detyruar të largohet nga trojet e veta e nga mjedisi i vet kulturor, për shkak të mungesës së mjeteve të domosdoshme të jetesës”.
Papa Françesku reflektoi për paradoksin e një shoqërie të globalizuar, që i ka të gjitha kushtet për t’i njohur situatat e vështira në botë e për t’i shumëfishuar shkëmbimet e lidhjet ndërmjet njerëzve, por që, duke pasur prirjen për t’u mbyllur në guaskën e individualizmit, sillet në mënyrë indiferente, si në nivelin personal, ashtu edhe në atë institucional e shtetëror, ndaj atij që vdes nga uria ose vuan, sepse i mungon edhe kafshata e përditshme e bukës thatë, sikur ky të ishte, pohon Papa Françesku, fakt i pashmangshëm”.

Po uria dhe ushqimi i pamjaftueshëm nuk mund të shikohen kurrë si fakt normal, të cilin duhet ta pranojmë, me të cilin duhet të mësohemi, si të ishte pjesë përbërëse e sistemit, pohoi Papa, e shtoi: “Diçka duhet të ndryshojë në shpirtin tonë, në mendësinë tonë, në shoqëritë tona”. E, kërkoi së pari, pikërisht, ndryshimin e mendësisë. Kujtoi përsëri kulturën e përjashtimit e të globalizimit të indiferencës. E më pas vuri theksin mbi atë, që e quajti “skllavëri e fitimit me çdo kusht” të cilën, nënvizoi, e gjejmë jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, por edhe në dinamikat ekonomiko-financiare globale. Vlen për të gjithë rizbulimi i vlerës së solidaritetit, porositi Papa, që nuk duhet kufizuar në asistencë, por duhet të ngulmojë t’i bëjë njerëzit ekonomikisht të pavarur. Ati i Shenjtë kërkoi edhe që kjo prirje të jetë themelore në vendimet e nivelit politik, ekonomik e financiar, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, popujve e kombeve. Kjo do të thotë, shpjegoi Papa, ta vësh gjithnjë njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të vëmendjes, pa e shitur kurrë, me çmim të ultë, në tregun e logjikës së fitimit.
Papa Françesku kujtoi se viti 2014, me nismë të Fao-s, do të jetë Vit ndërkombëtar i familjes fshatare. Prandaj kërkoi të ndihmohet familja, sepse është bashkësia e parë edukative, shkolla e parë, që i jep fëmijës mësime të çmuara, duke i kujtuar se duhet të ketë kujdes për tjetrin, të shikojë të mirën e të gjithëve, ta dojë harmoninë e krijimit e të kënaqet, kur ndan frytet e gjithësisë, duke mbështetur konsumin e arsyeshëm, të drejtpeshuar e të qëndrueshëm.
Ndihmë e kujdes për familjen, prandaj, për të ecur kah një shoqëri më e drejtë e më njerëzore.
Kujtuam, në fillim, se sot u kremtua Dita botërore e ushqimit, me veprimari shumë të pasuara, në Romë e në mbarë botën. Parulla vuri theksin mbi nevojën e krijimit të sistemeve ushqimore të qëndrueshme, për sigurinë ushqimore dhe plotësimin e nevojave të sistemeve ushqimore.
Dita e ushqimit kremtohet çdo vit, për të përkujtuar pëvjetorin e themelimit të Fao-s, më 1945.
Veprimtaritë, që nisën sot, në orën 10.00, në Romë, me fjalën e hapjes së Ditës mbajtur nga drejtori i përgjithshëm i Fao-s, Josè Graziano da Silva, do të vijojnë deri të diel, për të përfunduar me Hanger Run, garë vrapimi prej 10 kilometrash në rrugët e Romës, gjatë së cilës mblidhen ndihma për njerëzit e uritur: sivjet, për një projekt kundër urisë në veri të Sudanit.









All the contents on this site are copyrighted ©.