2013-10-16 14:27:49

Imzot Marajati: politikat e bashkësisë ndërkombëtare nxisin ikjen e të krishterëve nga Siria


“Gjatë kohëve të fundit, u përhap fjala se 17 vende u kanë hapur portat refugjatëve sirianë. Ky lajm ndezi edhe më shumë, edhe ndër të krishterët, dëshirën për t’u larguar nga Siria”. Ky denoncim është i kryeipeshkvit armeno-katolik të Halebit, Butros Marajati për agjensinë kishtare Fides. Tani për tani, sqaron kryeipeshkvi, nuk kemi të bëjmë me eksod masiv, por fenomeni është në rritje. Gjithnjë e më tepër largohen nga Siria familje, duke filluar nga më të pasurat, që kanë mundësi të paguajnë për ikjen. Të tjerët presin rastin e volitshëm. Sapo mbërrijnë në Liban, sirianët i kërkojnë OKB-së të pranojë kërkesat e tyre për strehim politik dhe të lehtësojë largimin e njerëzve, për të cilët qëndrimi në Siri është bërë i pamundur.
Përveç të krishterëve që ikin, vazhdon imzot Marajati, duke përshkruar një situatë aspak të thjeshtë, ka të tjerë që kthehen në Haleb, pasi strehohen në zonën bregdetare të Latakias, ku, sapo u mbarojnë paratë, nuk kanë më mundësi të paguajnë qeranë e t’i bëjnë ballë jetës. Në Haleb, të paktën fëmijët mund të shkojnë në shkollë. Kryeipeshkvi tërheq vëmendjen ndaj interpretimeve të gabuara të luftës së opozitës, e cila, sipas tij, nuk duhet parë si front i bashkuar kundër regjimit. Në mesin e rebelëve ka shumë fraksione, që luftojnë kundër njëra-tjetrës. Në ditët e shkuara, ushtria qeveritare arriti të hapë rrugën, që bashkonte Halebin me Homsin. Kjo lejoi furnizimin me ushqime, që mungonin prej muajsh, por çmimet rriten vazhdimisht e Kisha Katolike s’bën tjetër, veçse shpërndan pako. Bombardimet, denoncon së fundi kryeipeshkvi armeno-katolik, nuk ndaluan edhe në festën e djeshme të Kurban Bajramit, sidomos në periferi.







All the contents on this site are copyrighted ©.