2013-10-16 15:09:26

70 vjetori i dëbimit të hebrenjve nga Roma


Më 16 tetor 1943 forcat naziste dëbuan nga getoja e Romës 1024 hebrenj, prej të cilëve më shumë se 200 ishin fëmijë. Sot bashkësia hebraike e Romës e kujton atë ngjarje duke shikuar drejt të ardhmes.RealAudioMP3
Sot, me rastin e këtij përvjetori, Papa Françesku i drejtoi një mesazh Rabinit Riccardo Segni, në të cilin përmend të rinjtë dhe u bën thirrje që të mos e bëjnë rrafsh ekzistencën e tyre, “të mos lejojnë që ideologjitë t’i tërheqin zvarrë, të mos e shfajësojnë kurrë të keqen në të cilën hasim, të mos e heqin vëmendjen kundër antisemitizmit e kundër racizmit, ngado që ta kenë zanafillën”.
Për të mësuar si e kujtojnë këtë ditë hebrenjtë e romës, Radio Vatikani intervistoi Elvira di Cave-n, kryetare e Konsultës së Bashkësisë Hebraike të Romës, e cila na tha:
"6 tetori 1943 ishte dita e fundit e Sukkot-it, festa hebraike e 'Tëbanave', dhe ishte e shtunë, e shtuna hebraike. Në orën 5.15 të atij agimi, ditë me shi, gjermanët erdhën me kamionë dhe bllokuan të gjitha rrugët që hynin e dilnin nga Portiku i Oktavies, getoja e vjetër. Filluan të shtjenin në ajër dhe, në orën 5.30 hynë brenda e filloi batërdia e vërtetë. Në rrugën Via della Luce n. 3, shpërngulën gjithë familjen time, përveç tim eti: gjyshin, gjyshen, hallat, kushërirat, madje edhe një foshnje e një fëmijë tre vjeç. Kjo që i ndodhi familjes sime u bë shkak që tim atë, sa herë që vinte 16 tetori, ta zinte memecëria. E zinte pak ditë para e vijonte disa ditë të tjera".
Prej të dëbuarve të atij 16 tetori u kthyen nga kampet e shfarosjes pesëmbëdhjetë burra e një grua. Kthimi i tyre në jetën normale të qytetit ka qenë i mundimshëm. Brenga që mbanin në shpirt, nga skenat çnjerëzore që kishin parë në Aushvic, nuk kanë mundur t’i rrëfejnë për shumë kohë, nga frika se askush nuk do t’u besonin.
Kujtimi dhe rrëfimi i asaj brenge bëhet sot edhe më i nevojshëm për qytetin e Romës, që po përjeton me pështjellim vdekjen e njërit prej personazheve më të pashpirtë të shtypjes naziste, famëziut Priebke. Pasi u arrestua në Argjentinë, ku ishte fshehur për t’i shpëtuar gjyqit ndërkombëtar, u dënua në Romë me burgim të përjetshëm, për vrasjen me dorën e vet të më se 350 vetëve. Sot toka e Romës, e acaruar edhe më shumë nga absurditeti i lëvizjeve neonaziste, nuk pranon t’i japë një varr kufomës së tij. Shfaqja e trishtueshme e atyre që admirojnë Priebke-n dhe e atyre që gjuajnë me shqelma arkëmortin e tij, është simptomë e dhimbshme e një shoqërie që ka humbur busullën e orientimit dhe është pre e një historie që ka nevojë për shëlbim.
Si çdo vit nga 1994, Bashkësia e Shën Egjidit dhe Bashkësia Hebraike e Romës do ta përkujtojnë shpërnguljen e 16 tetorit me një marrshim të heshtur, që niset nga Shën Maria në Trastevere në orën 18.45. Përveç kryetarit të bashkësisë hebraike të Romës, kryetarit të bashkisë së kryeqytetit italian e të tjerë, në këtë marrshim do të marrë pjesë edhe Enzo Camerino, një prej 16 të mbijetuarve.








All the contents on this site are copyrighted ©.