Si shkambi n’për rrymë të shekujve, muret qendrojnë jetike
ngulun për rranzë thëmeleve, të Rozafës sonë Kreshnike.
Dhe sot,
që, féja nipave shpresët e të Parëve ndritoi, lè të shkruhet mbi ballë
të mureve: “Nanës, që na vorfnoi!”. Njâsaj, që’i ditë prej sulmeve të
Kulçedrës me shtatë krena, na u bâ mburojë e, të nêmuna s’duroi t’i shohë
këto dhena. Njasajë... por vaj, na fajeve në verbim s’u vume cak
e Nanës iu randue zemra, iku edh’e la këte prak! O ju, që parzme hekuri
luftuet për bésë e fé, idhtë tue valvitun Flamurin, shenjtnue me gjak
e bé, zgjonju nën rrasa të heshtuna, ngrihnju me pa mjerim!
Ndihma e Arbënisë, e Pamposhtuna ç’u ba?... Si drita u shkim!!... Po a
kurrë, thue, ma kurrë Virgjina
me gjâmë kah thrret Shqipënia, -
s’do të ndrisë, si ndriti moteve përbrinjë Rozafës... M A R I A ?!
Tepër lënguem këso shtigjeve si fëmija mbetë pa nanë, për
né ma dritë nuk lëshuene as hyj, as diell, as hanë! Po a kurrë, ma kurrë,
s’do të ngrohemi? Pa shpresë do të rrijmë e të presim? Po a heshtun gjithmonë
vallëja do të ngeli, në terr kah dënesim?! Jo, jo! Pse qiellëve të epëra
Zoti me dorë të vet ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra, e, Zoja
e Shkodrës së vet !”. Qé, ké ato mure të ndrituna,
zemra m’a
ndiën, - qé’i zani
Një populli në hov të galdimave, tue brohoritë:
“O ngâni!... Ktheu, N A N A !” O, ditë ma e bukra që Arbënia prét, ago!
Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve në fé shënjte na vëllazno!