2013-10-15 12:39:52

Papa: Idhujtaria e shtirja rrezikojnë jetën e krishterë


Idhujtaria dhe hipokrizia nuk e kursejnë as jetën e krishterë, tha Papa Françesku në meshën e sotme. Për të mos rënë në kurthin e këtyre mëkateve, është e nevojshme të zbatohen urdhërimet e dashurisë për Hyjin e për të afërmin.
I mbështetur në leximet e sotme, Papa vë në dukje rreziqet që kërcënojnë jetën e fesë: tundimi i të krishterit për t’u bërë apostull i ideve të veta, apo për të qenë i përkushtuar ndaj mirëqenies vetjake, më shumë sesa ndaj Hyjit, dhe për të bërë thashetheme në lidhje me ata që nuk përshtaten me formalizmat. Në këtë mënyrë harrohet urdhërimi i ri i krishterimit, që është urdhri i dashurisë pa kushte. Papa niset nga fjalët e shën Palit, për të vënë në dukje mëkatin e idhujtarisë, mëkatin e atyre njerëzve që, siç thotë Apostulli, “edhe pse e kanë njohur Hyjin, nuk e kanë lavdëruar, as falënderuar si Hyj”, por kanë parapëlqyer adhurimin e “krijesave në vend të Krijuesit”. Kjo është një idhujtari, thotë Papa, që “u zë frymën të vërtetave të fesë, me të cilën i shërbehet drejtësisë së Hyjit”:
“Meqë të gjithë kemi nevojë të adhurojmë, sepse kemi brenda nesh gjurmët e Hyjit, kur nuk adhurojmë Hyjin, adhurojmë krijesat. Ky është kalimi nga feja tek idhujtaria. Ata, idhujtarët, nuk kanë asnjë shfajësim: edhe pse e njohën Hyjin, nuk e lavdëruan as nuk e falënderuan si Hyj. E cila është rruga e idhujtarisë? E thotë qartë: ‘Janë bjerrë në arsyetimet e tyre të kota dhe u është errësuar mendja e zymtë’. Egoizmi i mendimit tonë, i mendimit të gjithëpushtetshëm, ajo që unë mendoj se është e vërtetë: unë mendoj të vërtetën, unë bëj të vërtetën me mendimin tim…”
Para dymijë vjetësh kritika e shën Palit u drejtoheshin idhujtarëve që binin përmbys para zvarranikëve, zogjve, katërkëmbëshve. E këtu Papa Françesku i paraprin kundërshtimit se sot ky problem nuk ekziston, meqë askush nuk bie përmbys para statujave. Nuk është ashtu, thotë Papa, idhujtaria ka gjetur forma dhe mënyra të tjera:
“Edhe sot ka shumë idhuj dhe edhe sot ka shumë idhujtarë, shumë nga ata që mendojnë se janë të ditur. Por edhe mes nesh, mes të krishterëve. Unë nuk flas për ata, unë i respektoj ata, ata që nuk janë të krishterë. Por mes nesh – flasim në familje – mendojnë se janë të ditur, se dinë gjithçka… Janë bërë të marrë dhe shkëmbejnë lavdinë e Hyjit të pashkatërrueshëm me një shëmbëllim: me unin vetjak, me idetë e mia; me sjelljen time… Sot, të gjithë ne – të ec përpara, eh! Nuk është vetëm diçka historike. Edhe sot gjenden idhuj rrugës, pas një hapi… Të gjithë kemi ndonjë idhull të fshehur brenda nesh. Mund ta pyesim veten para Hyjit: cili është idhulli im i fshehur? Ai që zë vendin e Zotit!”
Nëse shën Pali i quan të marrë idhujtarët, në Ungjillin e sotëm Jezusi bën të njëjtën gjë me shtiracakët, të personifikuar nga fariseu, që shkandullohet sepse Mësuesi nuk kishte larë duart, sipas rregullores, para se të ulej në tryezë. “Ju, farisenjtë, përgjigjet Jezusi, pastroni anën e jashtme të gotës e të pjatës, por përbrenda jeni plot smirë e ligësi. Bëni lëmoshë me çfarë keni brenda dhe, atëherë, gjithçka do të jetë e pastër për ju!”:
“Jezusi jep këtë këshillë: mos shikoni pamjen e jashtme! Shkoni tek e vërteta. Pjata është pjatë, por çfarë është më e rëndësishme është ajo që gjendet në pjatë: ushqimi. Por, nëse ti je mburravec, nëse je karrierist, nëse je ambicioz, nëse je një njeri që gjithmonë mburret, apo i pëlqen ta lavdërojnë, sepse mendon se je i përsosur, jep ndonjë lëmoshë e kjo gjë do ta shërojë hipokrizinë tënde. Kjo është rruga e Zotit: të adhurosh Hyjin, ta duash Hyjin mbi gjithçka dhe të duash të afërmin. Është shumë e thjeshtë, por shumë e vështirë. Kjo mund të bëhet vetëm me ndihmën e hirit. Ta kërkojmë hirin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.