2013-10-14 16:23:47

Papa: nuk mjafton sjellja fetare e përsosur për të shpëtuar; të krishterët të çlirohen nga ‘sindroma e Jonës’.


Duhet luftuar “sindroma e Jonës”, që na bën aq hipokritë, sa të mendojmë se për t’u shëlbuar, mjaftojnë vetëm veprat tona. Këtë pohoi sot Papa Françesku në Meshën, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa i porositi besimtarët të ruhen nga sjellja fetare e përkryer, që shikon vetëm doktrinën, por nuk kujdeset për shpëtimin e njerëzve të varfër. RealAudioMP3

“Sindroma e Jonës” dhe “shenja e Jonës”. Papa Françesku e përqendroi homelinë e Meshës së sotme mbi këtë binom. Jezusi, vërejti, në Ungjillin e sotëm, flet për brezninë e mbrapshtë. E fjala e Tij është tejet e fortë. Por, vijoi, nuk u drejtohet njerëzve, që e ndiqnin me dashuri të pamasë. U drejtohet pikërisht “doktorëve të ligjit”, atyre, që bënin çmos për ta vënë në provë e për t’a zënë në kurth. Këta njerëz i kërkonin shenja e Jezusi u përgjigjet se do t’u jepej një shenjë e vetme, ajo e Jonës. Jemi para ‘sindromës së Jonës’. Zoti i kërkon të shkojë në Ninivë, e ai ia mbath në Spanjë. Një gjë ishte e qartë për Jonën, tha Papa, “kjo është Doktrina”, “duhet bërë kjo” e “sa për mëkatarët, le të mendojnë vetë për vete, nësa unë po shkoj në punë time”. Ata, që jetojnë sipas “sindromës së Jonës” shtoi Papa, Jezusi i quan ‘hipokritë’, sepse nuk e duan shëlbimin e njerëzve të varfër, të paditur, mëkatarë:
Sindroma e Jonës’ është pa pikë zelli për shpëtimin e mëkatarëve, kërkon, thënë figurativisht, një shenjtëri ‘të sapo dalë nga punishtja e ngjyrimit, të bukur, të lustruar, pa kurrfarë zelli për të shkuar e për ta predikuar Zotin. Por Zoti, përballë kësaj breznie, të sëmurë nga ‘sindroma e Jonës’, premton pikërisht “shenjën e Jonës”. Varianti tjetër, ai i Mateut, thotë: ‘Jona mbeti në bark të balenës tri netë e tri ditë, gjë që na kujton Jezusin në varr, nga vdekja, tek Ngjallja’, e kjo është shenja, që premton Jezusi, kundër hipokrizisë, kundër kësaj sjelljeje të fesë së përkryer, kundër sjelljes së një grupi farizenjsh”.
Në Ungjill është një shembëlltyrë, shtoi Ati i Shenjtë. E pikturon me ngjyra shumë të gjalla këtë sjellje: shembëlltyra e farizeut dhe e publikanit, që luten në tempull. Farizeu, tejet i sigurt në vetvete, para elterit, falënderon Zotin se nuk është si publikani, i cili, nga ana e tij, i lyp Zotit vetëm një gjë: mëshirë, duke pranuar se është mëkatar. Ja pra, cila është shenja, që premton Jezusi për faljen e mëkateve, përmes vdekjes e Ngjalljes së Tij, tha Papa. Kjo është mëshira e tij: Mëshirë dua, jo fli:
Shenja e Jonës, e vërteta, është ajo, që na bën të besojmë plotësisht se shëlbohemi me Gjakun e Krishtit. Sa të krishterë, sa prej tyre, mendojnë se do të shëlbohen për atë, që bëjnë, për veprat e tyre. Veprat janë të nevojshme, por duhen parë si pasojë, si përgjigje, që i jepet dashurisë së mëshirshme, shpëtimtare. Vetëm veprat, pa këtë dashuri përdëllyese, nuk i shërbejnë askujt. Ndërsa “sindroma e Jonës” beson vetëm në drejtësinë vetjake, në veprat e vetjake”.
Jezusi, pra, flet për “brezninë e mbrapshtë” e flet “me gjuhë pagane, me gjuhën e mbretëreshës së Sabës”, të cilën gati-gati e emëron gjykatëse, sepse ngrihet kundër njerëzve të kësaj breznie. E këtë, shpjegoi Papa, e bën, sepse ishte grua e shqetë, grua gjithnjë në kërkim të urtisë së Zotit:
Ja, pra, sindroma e Jonës na çon në hipokrizi, në vetëkënaqësi, në mendimin se jemi të krishterë të kulluar, të përkryer, sepse bëjmë vepra, zbatojmë urdhërimet, të gjitha! Sëmundje e rëndë, kjo! Në sa ‘shenja’ e Jonës na kujton mëshirën e Zotit në Jezu Krishtin, vdekur e ngjallur për ne, për shëlbimin tonë. Në leximin e parë kemi dy fjalë, që lidhen me këtë. Pali thotë për vete se është apostull jo sepse studioi këtë, jo, apostull për thirrje. E të krishterëve u thotë: ‘Ju jeni të thirrur nga Jezu Krishti’. Shenja e Jonës na bën thirrje ta ndjekim Zotin, pavarësisht se jemi mëkatarë, të gjithë, ta ndjekim me përvujtëri, me butësi. Jemi para një thirrjeje. E para zgjedhjes së një rruge!”.
Të përfitojmë sot nga kjo liturgji, përfundoi Papa, për t’i bërë vetes pyetjen e edhe për të vendosur: “cilën duhet të zgjedh, sindromën e Jonës, apo shenjën e Jonës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.