2013-10-14 18:52:54

Emergjenca e emigracionit, takim në Pallatin Kixhi për misionin “Det i sigurt”.


Emergjenca e emigracionit vijon. 150 refugjatë të tjerë, shumica sirianë e tunizianë, arritën sot paradite në Lampeduzë. Në ujërat e sirakuziane një gomone me 92 afrikanë u ndihmua nga roja bregdetare. Pasdite, ndërkaq, në Pallatin Kixhi, në Romë, u oganizua takimi për përcaktimin e hollësive të fundit të misionit “Det i Sigurt”.
Të patrullohet Kanali i Sicilisë, duke aktivizuar mjetet ajrore dhe detare të Flotës Ushtarake, për t’i prerë rrugën tragjedive të reja. Ky është objektivi i misonit humanitar e ushtarak “Det i Sigurt”. Ministri italian i Mbrojtjes, Mario Mauro, kujton se kjo do të realizohet shumë shpejt. Flota Detare është gati, me mjete e me njerëz, Ndërkaq kryeministri libik, Ali Zeidan, nënvizon se Libia duhet ndihmuar për të kontrolluar kufijtë e saj. Kryeministri maltez, Jozef Muskat, akuzon Evropën se e i ka lënë Maltën e Italinë vetëm në përpjekjen për të zgjidhur një problem tejet të vështirë. Nga Evropa, vëren, priten rrugëzgjidhje të menjëhershme e solidaritet i mirëfilltë. Ndërkaq kryetari i Parlamentit evropian, Martin Shulc, vëren se Evropës i mungojnë mjetet për ndihmën e menjëhershme të refugjatëve, që ikin prej zonash të dëmtuara rëndë nga lufta ose nga fatkeqësitë e natyrës. Evropa, përfundon, duhet të pajiset me mjete për emigracionin ligjor, të ngjashëm me atë të të gjitha vendeve të mëdha, për ku është drejtuar historikisht emigracioni, si SHBA, Kanadaja, Argjentina, Zelanda e Re, Australia.
Në shumicën e rasteve barkat me emigrantë, të ardhura më shumë nga Siria, Eritrea e Somalia, nisen nga Libia. Barka e fundosur më 11 tetorin e kaluar, duke shkaktuar vdekjen e më se 34 vetëve në ujërat e Lampeduzës, qe nisur nga Zwara. Në këtë qytetet pak ditë më parë gazetari i Rai-t, Amedeo Rikuçi, u takua me disa qytetarë libikë, që organizojnë “udhëtimet e të dëshpëruarve” dhe i intervistoi:

Përgjigje: - Më kanë treguar se ky tip biznesi , siç e quajnë ata, në kohën e Gedafit bëhej fare haptazi. Gedafi i përdorte emigrantët, edhe nisjet me barka të mëdha, si mjet shkëmbimi, për t’u dukur më shumë e për të marrë më shumë ndihma nga ana e fuqive evropiane. Prandaj në portet e Tripolitanës, në Zwara, ku isha unë, por edhe në të tjera, nuk kish familje, që s’ merrej me këtë lloj trafiku. Por askohe, shumë më i organizuar e me ngarkesa të kufizuara. Barkat pajiseshin me të gjitha mjetet e nevojshme të komunikimit dhe arrinin shumë shpesh në vendin për ku ishin nisur.

Pyetje: - E pastaj?
Përgjigje: - Pastaj, me kalimin e viteve, qeveria nisi t’i kundërvihet trafikut, përveç kohës kur Gedafi i përdori emigrantët si shqyte njerëzore, duke i nisur kundër brigjeve italiane. E ky lloj trafiku, që vijon edhe sot, niset nga brigjet libike, duke ndryshuar vetëm lëkurën: organizohet nga rrjete të huaja egjiptiane e tuniziane, për të mos folur për emigrantët, që vetorganizohen. Libikët furnizojnë barkat, por nuk hipin në to. Barkat i drejtojnë detarë tunizianë ose egjiptianë. Janë emigrantët, thonë barkatarët, që na nxisin të nisemi me çdo kusht e, prej këndej, ne i mbushim barkat më shumë se mund të nxenë, me pasoja që tashmë kanë tronditur mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.