2013-10-13 14:29:10

Dita mariane. Katekizmi i Papës: Virgjëra Mari është mësuese e besnikërisë dhe nënë e gëzimit!


Është prania e Marisë mes nesh”, shtatorja e vogël, ardhur nga Fatima, e Maria sjell gjithnjë me vete Jezusin! Fjalët e Papës shprehën ndjenjat e të gjithë besimtarëve, të cilët u lutën së bashku në Sheshin e Shën Pjetrit para ikonës delikate e mrekullisht të bukur të Zojës së Fatimës, që iu duk Françeskut, Xhaçintës e Luçisë. Besimtarët e pritën me procesion, duke kënduar, duke u lutur e duke valëvitur flamuj të bardhë. Zoja u ndalua pikërisht atje, ku plumbi, që ruhet në kurorën e Saj, pati shpuar tej për tej trupin e Papës Vojtila. Pastaj vijoi rrugën drejt tremes, për të qëndruar pranë Papës Françesku.
Ati i Shenjtë e mbajti katekizmin në përfundim të Via Matris, shatë etapa të mundimshme të jetës së Marisë, nga profecia e Simeonit, tek zbritja e Korpit të Krishtit në varrin e së Shtunës së Madhe. E u nis nga një pyetje: “Si ishte feja e Marisë?”:
“Elementi i parë i fesë së Saj, është ky: feja e Marisë e zgjidh nyjën e mëkatit”.
E nyjë, shpjegoi Papa, është çdo mungesë e besimit tonë në Zotin, e dëshirës për ta dëgjuar zërin e Tij, për të bërë vullnetin e Tij. Por, për mëshirën e Zotit s’ka gjë të pamundur:
“E Maria, e cila me ‘po’në e Saj i hapi portën Zotit, për të zgjidhur nyjën e mosbindjes së lashtë, është Nëna që, me durim e dashuri, na çon tek Zoti, sepse zgjidh nyjat e shpirtit tonë me mëshirën e Tij prej Ati”.
Feja e Marisë është edhe ajo, që i jep korp njerëzor Krishtit: e kjo ndodh kur i përgjigjet me plot gojën ‘po, kumtimit të Engjëllit. Mishërimi i Jezusit, kujtoi Papa, nuk i përket vetëm së kaluarës; i përket të gjitha kohëve, së sotmes e së ardhmes, na përket edhe ne, personalisht:
“Ajo që ndodhi në Virgjërën Mari në mënyrë të pashoqe, na ndodh edhe ne shpirtërisht, kur e pranojmë Fjalën e Zotit me zemër të mirë e të sinqertë, duke e vënë edhe në praktikë. Na duket sikur Krishti mishërohet në ne. Ai vjen të rrijë ndër ne, sepse dëshiron të banojë në shpirtin e atyre, që e duan dhe e jetojnë Fjalën e Tij. Nuk është e lehtë ta kuptosh këtë, por, po, është e lehtë ta ndjesh në zemër”.
Të besosh në Jezusin, vijoi, do të thotë t’i dhurojmë korpin tonë, me përvujtërinë dhe guximin e Marisë, që Ai të vijojë të banojë ndërmjet njerëzve:
“Do të thotë t’i dhurojmë duart tona, për të ledhatuar e të vegjlit e të varfërit; këmbët tona, për të mbështetur atë, që është i ligshtë e për të punuar në vreshtin e Zotit; mendjen tonë, për të menduar e për të bërë plane në dritën e Ungjillit; e sidomos, zemrën tonë, për të dashur e për të marrë vendime sipas vullnetit të Zotit. E gjithë kjo ndodh për virtyt të Shpirtit Shenjt. E kështu bëhemi mjete të Zotit, që Krishti të veprojë në botë, përmes nesh”.
Po feja e Marisë do të thotë edhe udhë, tha në përfundim Papa, do të thotë ta ndjekësh Zotin, siç e ndoqi Ajo të Birin, ta dëgjosh, të udhëhiqesh nga fjalët e Tij, të kesh të njëjtat ndjenja e sjellje, përvujtëri, mëshirë, afërsi, e njëkohësisht, t’i japësh fund çdo hipokrizie, çdo dy fytyrësie, çdo idhujtarie:
“Udha e Jezusit është ajo e dashurisë besnike, deri në fund të fundit, deri në flijimin e jetës; është udha e kryqit. Prandaj udha e fesë kalon përmes kryqit, e këtë Maria e kuptoi që në fillim”.
Flakëza e fesë së saj mbeti e ndezur gjithnjë, edhe kur mbi Të u dynd nata më e zezë, në orën e mundimeve të Krishtit, nënvizoi Papa, e deri në agun e Ngjalljes:
“E kur erdhi lajmi se varri ishte bosh, në zemrën e Saj vërshoi gëzimi i fesë, i besimit të krishterë në vdekjen e ngjalljen e Jezu Krishtit. Sepse feja ngjall gjithnjë gëzim e Ajo është Nëna e gëzimit: t’i lutemi të na mësojë të ecim në këtë rrugë gëzimi e ta jetojmë këtë gëzim”.
Sonte, ishte lutja e fundme e Papës drejtuar Marisë, të falënderojmë për fenë tënde prej gruaje të fortë e të përvuajtur e ta besojmë përsëri vetveten, o Nënë e fesë sonë. Amen”.










All the contents on this site are copyrighted ©.