2013-10-12 17:41:48

Dita mariane. Zemra e Papës Françesku i përket Marisë!


Në gjunjë para Zojës së Fatimës! Këtë bëri sonte Papa Françesku dhe turma, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, kur “Dita mariane”, organizuar për Vitin e Fesë, arriti, në orën 17.00, në një nga çastet më prekëse, me katekizmin papnor. Ndërkaq në Shesh kishte arritur shtatorja origjinale e Zojës së Fatimës, e pritur nga shtegtarët.
Në përfundim të kremtimit, shtatorja u zhvendos në Shenjtëroren mariane të Dashurisë Hyjnore, në Romë. Pas Saj, mijëra shtegtarë. Morën pjesë në një kremtim, i cili nisi me Rruzaren Shenjte e vijon me Natën pa gjumë, në lutje, para Zojës së mrekullueshme të Fatimës.
Nesër, e dielë, 13 tetor, në orën 10.30, Mesha Shenjte me rastin ne Ditës mariane të Vitit të Fesë, kryesuar nga Papa Françesku.
Të gjithë mund të marrin pjesë shpirtërisht, duke e kremtuar këtë ditë në nder të Zojës, përmes mjeteve të komunikimit e duke medituar për temën: “E Lumja ti, sepse besove”.
Nuk është hera e parë që Papa Françesku shpreh devocionin e tij të thellë për Zojën e Bekuar. Këtë devocion e kujton kryeipeshvi José Rodriguez Carballo, sekretar i dikasterit të Jetës Rregulltare, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Papa Françesku po tregon se është Papë marian. Në pak muaj ka shkuar katër herë në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. Këto vizita flasin shumë. Flasin për një Papë marian. Edhe në gjestet e vogla. Mua më prekin thellë çastet kur, pas kremtimeve eukaristike në Shën Pjetër ose në vende të tjera, ku ka ndonjë shtatore a figurë të Zojës, Ati i Shenjtë ndalohet para ikonës a shtatores dhe e prek. Kjo dëshmon dashurinë e tij të madhe për Nënën e Krishtit. E këtu shikojmë një paralelizëm me Shën Françeskun e Asizit, të cilin Papa e përmend shpesh. Françesku i Asizit është thellësisht marian; e edhe Papa është marian. E këtu kujtojmë përsëri se rruga më e shkurtër për të arritur tek Jezusi, është gjithnjë Maria. Devocioni marian, pra, nuk mbyllet në Marinë, por na çon tek Jezusi.

Pyetje: - “E lumja Ti, sepse besove” është titulli i Ditës mariane. E sot këto fjalë të Shën Elizabetës tingëllojnë si ftesë për të gjithë...

Përgjigje: - Nga Shkrimi Shenjt e dimë se Maria ishte me Kishën në fasha, në pritje të Shpirtit Shenjt. Maria ishte me Kishën. E kjo ‘ishte’ ka shumë rëndësi, tregon se Maria ishte me Kishën, është me Kishën e do të jetë me Kishën. Ditë e rëndësishme, prandaj. Na kujton se Kisha nuk mund të ecë përpara, pa Marinë. Në një Vit kushtuar Fesë, si ky, në të cilin Kisha deshi të kremtojë, të shpallë, të dëshmojë fenë, nuk mund të mungonte figura e Nënës. Nga ana tjetër, në këtë Vit të Fesë, Maria na paraqitet, para së gjithash, si grua besimtare, grua me fe të gjallë, që e lëshon plotësisht veten në dorë të Atij, për të cilin s’ka gjë të pamundur! E pikërisht nga kjo perspektivë kuptohet shprehja: “Ja ku jam! U bëftë mbi mua si është Fjala jote!”.

Pyetje: - Në qendër të nderimit të Ditës mariane është shtatorja e Zojës të Fatimës, për t’i rikujtuar besimtarëve mësimin tepër aktual të pendesës e të lutjes...

Përgjigje: - Para së gjithash, duhet të themi se ftesa për pendesë e lutje vjen nga vetë Jezusi. Prandaj edhe ftesa e Nënës së Zotit, në Fatima, është thellësisht aktuale e ungjillore. Kemi nevojë për kthimin e zemrave, siç na e kujton shpesh edhe Papa Françesku, e kemi nevojë edhe për lutje, për të mos rënë në tundim. Zemra jonë u bë për Zotin e gjen paqe vetëm në Të. Në një botë, ku flitet shumë, ku thuhen miliona fjalë, që nuk thonë asgjë, heshtja është më e nevojshme se kurrë. Kemi nevojë edhe për fjalë të vërteta, e këto lindin vetëm në gjirin e heshtjes. Nga Maria mund të nxëmë edhe këtë mësim: “Maria e heshtjes”. Duhet t’i lutemi me gjithë zemër në këtë çast, kur ka aq shumë thashetheme që, siç na e kujton edhe Ati i Shenjtë Françesku, përçajnë e nuk krijojnë bashkim, nuk krijojnë Kishë!








All the contents on this site are copyrighted ©.