2013-10-11 16:30:59

Sot u paraqit “Dita Mariane” e Vitit të Fesë: 12-13 tetor


Sot, në orën 12.00, në Sallën Gjon Pali II të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, u paraqit një nga ngjarjet e mëdha të Vitit të Fesë, “Dita Mariane”, organizuar nga Kongregata për Ungjillëzimin e Ri, kushtuar Zojës së Bekuar, me temë: “E lumja Ti, sepse besove!”.
Folën, ndërmjet tjerësh, imzot Rino Fizikela, Kryetar i Këshillit Papnor për Ungjllëzimin e Ri, sekretari dhe zëvendës-sekretari i së njëjtës Kongregatë, përkatësisht, imzot Arenas dhe imzot Bell.
Me këtë rast të jashtëzakonshëm lutjeje, në Romë do të jetë e pranishme shtatorja origjinale e Zojës së Fatimës.
Dy janë kulmet e kësaj Dite, kushtuar Zojës së Bekuar, në Vitin e Fesë.
E shtuna do të nisë me një shtegtim tek Varri i Shën Pjetrit Apostull, ku besimtarët do të ndalen për të medituar, të udhëhequr shpirtërisht deri në Dëshmimin e Fesë, pranë Elterit madhështor, mbi vendin ku Princi i Apostujve u kryqëzua kokëtatëpjetë, në emër të Krishtit. Do të kenë mundësi të rrëfehen e të adhurojnë Eukaristinë.
Në orën 17.00, në Sheshin e Shën Pjetrit do të arrijë shtatorja origjinale e Zojës së Fatimës, e pritur nga shtegtarët, pasuar nga katekizmi i Atit të Shenjtë.
Në përfundim të kremtimit, shtatorja do të zhvendoset në Shenjtëroren mariane të Dashurisë Hyjnore, në Romë. Pas Saj, mijëra shtegtarë. Do të marrin pjesë në një kremtim, i cili do të nisë me Rruzaren Shenjte e do të përfundojë me Natën pa gjumë, në lutje, para Zojës së mrekullueshme të Fatimës.
Të dielë, më 13 tetor, Mesha Shenjte me rastin ne Ditës Mariane të Vitit të Fesë, kryesuar nga Papa Françesku.
Të gjithë mund të marrin pjesë shpirtërisht, duke e kremtuar këtë ditë në nder të Zojës, përmes mjeteve të komunikimit e duke medituar për temën: “E Lumja ti, sepse besove”.









All the contents on this site are copyrighted ©.