Siri: BE dënon persekutimin e të krishterëve. 190 viktima në fshatrat alauite
Parlamenti Evropian dënoi persekutimin e të krishterëve në Siri, duke miratuar një
rezolutë, votuar në seancën e djeshme plenare, në Strasburg. Gjatë konfliktit, haraçin
më të rëndë vijojnë ta paguajnë të gjitha pakicat. Human Rights Watch denoncon masakrimin
e më se 190 vetëve gjatë sulmeve të rebelëve xhihadistë ndër dhjetë fshatra alauite. Të
paktën 190 civilë u ekzektuan në masë e 200 të tjerë, kryesisht gra e fëmijë, u morën
peng gushtin e kaluar në fshatrat e Latakisë, me shumicë alauite, sekt islamik të
cilit i përket presidenti Asad. Padia lexohet në një Raport me 150 faqe, hartuar
nga Human Rights Watch. Dokumenti e drejton gishtin kundër milicive të ekstremistëve
të huaj të Shtetit islamik të Irakut e të Levantes dhe Ushtrisë së emigrantëve, që
shfarosi familje të tëra. Koalicioni kombëtar sirian, platformë kryesore e opozitës,
e dënon masakrimin e alauitëve, duke u distancuar nga formacionet e huaja integraliste
që, gjithsesi, vijojnë ta fuqizojnë pozitën e tyre në terren, siç e dëshmon atentati
i kryer sot paradite, që përfundoi me vrasjen e një myslimani francez në një bazë
ushtarake të Halebit, ku vdiqën 10 ushtarë. Ndërkaq trupat qeveritare i dëbuan
rebelët nga dy lagje të jashtme të Damaskut. E ndërsa vijon puna e inspektorëve të
Opec për shkatërrimin e arsenaleve kimike siriane, ministri i jashtëm rus, Lavrov,
akuzon rebelët sirianë që, sipas tij, u përgatiten për përdorimin e armëve kimike
në Afganistan. Atë Juan Pedro Degandt, bashkëpunëtor i Patrikut të Damaskut,
Gregorios II Laham, e përshkruan kështu këtë situatë dramatike, në mikrofonin
tonë:
“Situata ndryshon sipas vendeve. Vende-vende, të krishterët janë
me të vërtetë të persekutuar nga forcat e vetëquajtura të opozitës e po detyrohen
të ikin. Këtu, në Damask, Patriarkana po i ndihmon ditë për ditë refugjatët, që vijnë
nga Homsi e, tani, edhe ata që ikin nga Maaloula. Në këto çaste duket sikur xhihadistët
nuk mungojnë në Maaloula, ku vijojnë ende luftimet. Këtu ranë tre martirë, në kuptimin
e mirëfilltë të kësaj fjale".