2013-10-11 14:25:27

Papa, bashkësisë hebraike të Romës: antisemitizmi të mos gjejë vend në zemra


“Antisemitizmi të mos gjejë vend në zemrën e në jetën e njerëzve”: kjo qe thirrja e Papës Françesku, sot paradite, në takimin me një delegacion të Bashkësisë hebraike të Romës, udhëhequr nga kryerabini Rikardo Di Senji. Nuk janë fjalë të thëna thjesht, sepse e donte rrethana, por sepse Papa Françesku e ndjen këtë nga thellësia e shpirtit: antisemitizmi është helm, që nuk duhet përdorur nga ata, të cilët e quajnë veten të krishterë. E kur foli për raprezaljen në geton hebraike të Romës, më 16 tetor të 70 vjetëve më parë, Ati i Shenjtë u duartrokit fuqishëm nga 30 anëtarët e delegacionit:RealAudioMP3
“Do të jetë rasti për ta mbajtur gjithnjë lart vigjilencën, që të mos rimarrin jetë, me asnjë pretekst, forma të intolerancës e të antisemitizmit, në Romë e kudo në botë. E kam thënë disa herë e dua ta përsëris edhe tani. Është kontradiktë që i krishteri të jetë antisemit: rrënjët e tij janë hebreje. Një i krishterë nuk mund të jetë antisemit! Antisemitizmi të zhduket nga zemra e nga jeta e çdo burri e të çdo gruaje!”
Para e pas këtyre fjalëve, Papa Françesku u ndal në historinë e lashtë të marrëdhënieve ndërmjet katolikëve e hebrenjve të Romës. Kujtoi se gjatë këtyre 2000 vjetëve, nuk kanë munguar keqkuptimet, por edhe padrejtësitë. E megjithatë, shtoi Ati i Shenjtë:
“Është një histori që, falë Zotit, ka parë prej dhjetra vjetësh, zhvillimin e marrëdhënieve miqësore e vëllazërore. Për këtë ndryshim mendësie ka kontribuar, pa dyshim, nga ana katolike, reflektimi i Koncilit II të Vatikanit, por një kontribut jo të paktë e ka dhënë edhe jeta e puna e njerëzve të urtë e bujarë nga të dyja palët, të aftë ta kuptojnë ç’kërkon Zoti e të ecin me guxim në shtigje të reja takimi e dialogu”.
Papa Françesku nuk harroi të përmendë Luftën II Botërore, tragjedi – theksoi – që u mësoi hebrenjve dhe katolikëve të Romës vlerën e miqësisë solidare, më shumë se mijëra fjalë. Vërtet, kjo dëshmohet nga gjestet e Papës, të klerit e të shumë të krishterëve, të cilët, në atë kohë, hapën dyert për të shpëtuar hebrenjtë, që persekutoheshin nga nazistët:
“Patën… guximin të bënin ç’ishte e drejtë në atë çast: të mbronin vëllanë në rrezik. Më pëlqen ta nënvizoj këtë aspekt, sepse vërtet të dyja palët duhet të thellojnë reflektimin teologjik përmes dialogut, por ekziston edhe një dialog jete, ai i përvojës së përditshme, që nuk është më pak i rëndësishëm. Madje, pa të, pa një kulturë të vërtetë e konkrete takimi, që sjell marrëdhënie autentike, pa paragjykime e dyshime, pak do të shërbente impenjimi intelektual”.
E Papa Françesku i dha detyra edhe vetvetes:
“Shpresoj të kontribuoj këtu në Romë për afërsinë e miqësinë, ashtu siç kam pasur Hirin – sepse ka qenë vërtet hir – ta bëj me bashkësinë hebraike në Buenos Ajres. Ndër gjërat e shumta, që mund të na bashkojnë, është dëshmia për të vërtetën e dhjetë urdhërimeve të Tënzot, si bazë e qëndrueshme e burim i jetës edhe për shoqërinë, kaq e çorientuar nga pluralizmi i skajshëm në vendime e orientime, me një relativizëm që sjell humbjen e pikave të sigurta të referimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.