2013-10-11 10:38:06

Kremtohet 25-vjetori i “Mulieris dignitatem”: Zoti ia besoi njeriun gruas


Një dialog “në Kishë e si Kishë” për Letrën Apostolike “Mulieris dignitatem” të Papës së lum Gjon Pali II, publikuar më 15 gusht 1988. 25 vjet pas atij dokumenti mbi dinjitetin dhe thirrjen e gruas në Kishë e në jetë, Këshilli Papnor për Laikët organizon që dje e deri nesër, në Vatikan, një seminar studimi me titullin e shkëputur pikërisht nga Letra: “Zoti ia besoi njeriun gruas”. Në të marrin pjesë ekspertë e përfaqësues shoqatash e lëvizjesh kishtare, ardhur nga 25 vende të botës: teologë, filozofë, edukatorë, pedagogë, gazetarë, historianë e mjekë. Seminari është rast për të reflektuar mbi vlerën e gruas për mbrojtjen e racës e të humanitetit njerëzor. Nesër, pjesëmarrësit do të priten nga Papa Françesku. Flet për ne përgjegjësja e Seksionit për gruan në Këshillin Papnor për Laikët, Ana Kristina Vila Betankur:RealAudioMP3
Besojmë vërtet se “Mulieris dignitatem”, përveçse shumë i rëndësishëm, si dokumenti i parë i magjisterit papnor që i kushtohet krejtësisht gruas, është edhe shumë i pasur, për shkak se e paraqet antropologjinë e krishterë në mënyrë mjaft të kuptueshme. Pra, kjo Letër Apostolike është një fener ndriçues për çështjet urgjente, që kërkojnë ndërhyrjen e të krishterëve. Frytet shpirtërore të Letrës “Mulieris dignitatem” janë të shumta, por mendojmë se ka akoma shumë për të bërë. Edhe Papa Françesku po flet shpesh për rolin e gruas në Kishë. Tema e seminarit, marrë nga Letra Apostolike e Gjon Palit II na thotë se Zoti ia beson njeriun gruas, pikërisht për aftësinë e saj të veçantë për të dashur me forcë. E Papa Bergolio, që në fillim të papnisë, vuri theksin në mbrojtjen e Gjithësisë, për të cilën gruaja mund të ketë rol të veçantë, prandaj e kemi vënë në dukje këtë aspekt.
Shpesh, Ati i Shenjtë flet për Kishën si “nënë” e lutet, që bashkësia katolike të reflektojë e ta kuptojë më mirë rolin e rëndësishëm të gruas. Si duhen kuptuar fjalët e Papës?
Është e vërtetë se gruaja, me identitetin e saj amnor, mund të japë shumë nga vetvetja, por nëse nuk e humb kontaktin me këtë identitet, sepse amësi do të thotë së pari, nënë që kujdeset për bijtë, gjatë gjithë jetës. Një nga analizat e seminarit është pikërisht prania e gruas në shoqëri në këto 25 vjet, prani, që është rritur, megjithëse duhet parë nëse gruaja hyn në botë me karakteristikat e saj specifike, apo shoqëria i kërkon të herë dorë prej tyre, për hir të punës.
Në këto kohë, kur ka prirje për ta paraqitur ndryshimin ndërmjet femrës e mashkullit jo si ligj natyror, por si dallim, që varet nga shoqëria, cili është reflektimi antropologjik, që bën seminari?
Kjo është njëra nga temat, për të cilat flasim, duke u nisur nga e ashtuquajtura “ideologji gjinore”, e cila po përpiqet ta paraqesë qenien mashkull ose femër si krijim shoqëror e jo si çështje themelore për identitetin e secilit. Këtu, nxjerrim në pah pasurinë e antropologjisë së krishterë. Mjafton të ndezim televizorin për të parë shumë gjëra, që s’shkojnë në vetë konceptin për gruan, por edhe për burrin, pasi të dy janë të lidhur ngushtë. Shihet qartë se e kemi humbur disi vetëdijen se kush jemi, kush duhet të jemi e si duhet të jetojmë së bashku.
Kemi edhe gra, viktima të dhunës…
Ndër të ftuarit në Seminar, kemi gra që kryesojnë projekte për mbrojtjen e viktimave të dhunës. Në gjendje konflikti, shpesh gratë pësojnë jo vetëm dhunë seksuale, por edhe varfërinë e gjendjen e keqësuar, që krijohet si pasojë e luftës. Po flisja këto ditë me njërën prej tyre, që merr pjesë në seminar. Më thoshte: “Dritën, që më jep magjisteri papnor, ia përçoj pastaj gruas, që vuan, që po mundohet ta rindërtojë jetën nga e para, pas një konflikti, në të cilin ka qenë viktimë e çdo lloj dhune”. Ishte prekëse për mua të shihja se si mësimet e Kishës bëhen jetë: fjalët që themi nuk janë të vdekura, janë fjalë, që bëhen jetë e u shndrisin udhën njerëzve, të cilët duhet të gjejnë përgjigje për gjendje vërtet dramatike.








All the contents on this site are copyrighted ©.