2013-10-10 15:43:11

Papa: Hiri i më i madh që marrim, kur lutemi, është vetë Zoti


Kur lutemi, duhet të jemi të guximshëm e të zbulojmë cili është hiri i vërtetë që na dhurohet, tha Papa në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Homelia e tij u përqendrua mbi Ungjillin e sotëm, në të cilin Jezusi nënvizon nevojën për t’u lutur me besim e këmbëngulje.
Papa mori shkas nga shëmbëlltyra e mikut të bezdisshëm, që arrin çfarë kërkon falë këmbënguljes, dhe shtroi pyetjen rreth lutjes sonë:
“Si lutemi ne? Lutemi ashtu, për zakon, mjerueshëm, por të qetë, apo paraqitemi para Zotit me guxim, për t’i kërkuar hirin, për t’i kërkuar atë gjë, për të cilën lutemi? Guximi në lutje: lutja që nuk është guximtare, nuk është lutje e vërtetë. Guximi për të besuar se Zoti na dëgjon, guximi për të trokitur në derë… Zoti e thotë: ‘Kush lyp, merr; kush kërkon, gjen e atij që troket, i hapet. Por duhet lypur, duhet kërkuar, duhet trokitur”.
Papa pyet, a jemi të përfshirë kur lutemi, a dimë të trokasim në zemrën e Hyjit. Në Ungjill Jezusi thotë: nëse ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, sa herë më shumë Ati juaj qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë! Kjo është një gjë e madhe, thotë Papa:
“Kur lutemi me guxim, Zoti na jep hirin, por na jep edhe vetveten, me anë të hirit: Shpirtin Shenjt, domethënë vetveten. Mirëpo, Zoti e jep apo e dërgon hirin me postë? Kurrë! E sjell vetë. Është Ai hiri. Ajo që ne kërkojmë është pak a shumë si (qesh) … është letra që mbështjell dhuratën. Por hiri i vërtetë është Ai, që vjen e ma sjell. Është Ai. Lutja jonë, nëse është e guximshme, merr çfarë kërkojmë ne, por edhe atë që është më i rëndësishmi: Zotin”.
Papa kujton episodet e Ungjillit ku tregohet se disa nga ata që marrin hire, largohen. Vetëm një, nga dhjetë të gërbulurit që shëron Jezusi, kthehet për ta falënderuar. Edhe i verbëri i Jerihonit e gjen Zotin kur shërohet dhe lavdëron Hyjin. Por lutja duhet bërë me guximin e fesë, duke kërkuar edhe atë që lutja nuk ka guximin për ta shpresuar: domethënë vetë Hyjin:
“Ne e kërkojmë një hir, por nuk kemi guxim të themi: ‘Po eja ti e ma sill!’. E dimë se hirin e sjell Ai gjithmonë. Vjen ai vetë e na e jep. Të mos koritemi, duke marrë hirin, pa njohur Atë që na e sjell, Atë që na e jep: Zotin. Zoti na dhëntë hirin e dhurimit të vetvetes gjithmonë, në çdo hir. E njohshim dhe e lëvdofshim si ata të sëmurët e shëruar të Ungjillit! Sepse, në atë hir, kemi gjetur Zotin!”








All the contents on this site are copyrighted ©.