Kohët e fundit u kremtua 10-vjetori i themelimit të Misionit Katolik Shqiptar për
Zvicrën Lindore, me seli në Sirnach të Thurgau-t. Një kremtim dyditor, që e pati kulmin
në meshën shenjte në Frauenfeld, kryesuar nga ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji,
i cili, gjatë homelisë, vuri menjëherë në dukje stemën e 10-vjetorit, pasqyrë e motos
së Misionit: Atdheu-Familja-Zoti. Për këtë trinom kanë punuar besimtarët, që mblidhen
rreth misionit, por sidomos meshtarët , duke filluar nga themeluesi don Marjan Marku,
tek don Fran Kola e tani, tek don Albert Demaj së bashku me murgeshat e shumta. “Ju
keni ardhur në Zvicër për t’u siguruar një jetë më të mirë familjeve tuaja, duke lënë
atdheun – u tha të pranishmëve imzot Dodë Gjergji, gjatë homelisë. Ju falenderoj shumë
që nuk e keni harruar as Zotin, as atdheun, sepse falë jush kemi arritur të punojmë
aq shumë në atdhe: rrugë, shtëpi, shkolla, kisha e tani, së fundmi, edhe katedralen.
Ju keni ndarë nga kafshata e fëmijëve dhe keni kontribuar për katedralen dhe atdheun”. I
veçantë çasti i dhuratave në meshë. Përveç hosteve, ujit e verës, besimtarët çuan
në elter edhe një ditar, ku pasqyrohen tekstet e fotografitë e botuara në shtypin
zviceran për Misionin Katolik Shqiptar, si edhe ikonën e Familjes Shenjte, pajtore
e Misionit. 10 vetë, dy fëmijë të vegjël e dy më të rritur, dy të rinj, dy të sapomartuar,
dy prindër e dy të moshuar, i ofruan Zotit një trëndafil të bardhë e një të kuq. E
rëndësishme edhe pasditja kulturore, mbajtur në Qendrën e Misionit në Sirnach, një
ditë më parë. U paraqitën veprimtaritë kryesore në 10 vjetët e punës së Misionit,
shoqëruar me himnin e tij, shkruar nga motër Valdete Daka me muzikë të Zef Çobës,
por edhe me fotografi, muzikë e valle. Në gojën e përgjegjësit aktual të Misionit,
don Albert Demaj, falenderime për të gjithë, por edhe statistika, që tregojnë punën
e bërë. Misioni Katolik Shqiptar përfshin 9 kantone zvicerane. Tani për tani janë
regjistruar 1130 familje, të cilat i japin Kishës 5760 besimtarë, por numri është
pa dyshim më i madh, pasi regjistrimi nuk ka përfunduar. Gjatë 10 vjetëve të Misionit
janë pagëzuar 812 fëmijë, janë krezmuar 280 të rinj e janë martuar 161 të tjerë. Në
Mision aktivizohen kori i fëmijëve dhe i të rriturve, shoqata e grave “Nëna shqiptare”,
Ansambli Arbëresha për fëmijë dhe të rritur e shumë besimtarë, që ndihmojnë në meshë.
Integrimi i shqiptarëve në shoqërinë zvicerane, siç theksoi don Albert Demaj, është
gjithnjë e më i madh e kjo shihet nga profesionet, që ushtrojnë, si mjek, infermier,
jurist, arkitekt, madje edhe deputet komunal e funksionar në dikastere të rëndësishme
shtetërore.