2013-10-09 14:09:59

Papa lutet për paqen në Lindjen e Mesme: të krishterët të forcojnë vëllazërimin


Pas katekizmit, Papa përshëndeti besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, duke vijuar të kërkojë lutje për paqen në Lindjen e Mesme dhe në botë.

Një vit më parë Benedikti XVI, pas shtegtimit të tij në Liban, pati shtuar në audiencën e përgjithshme edhe gjuhën arabe, për t’u shprehur gjithë të krishterëve të Lindjes së Mesme afërsinë e Kishës Katolike, gjithnjë pranë bijve të saj lindorë. Papa Françesku e kujtoi këtë kryevjetor duke iu drejtuar besimtarëve në gjuhën arabe. Më pas bëri thirrje:
Ju kërkoj të luteni për paqen në Lindjen e Mesme: në Siri, Irak, Egjipt, Liban e në Tokën e Shenjtë, ku lindi Princi i Paqes, Jezu Krishti. Lutuni që drita e Krishtit të ndriçojë çdo zemër e çdo vend, deri në skajet më të largëta të Tokës”.
Duke përshëndetur prelatët e Konferencës ipeshkvnore të zonës Veriafrikane, të pranishëm në audiencë, u dha zemër t’i fuqizojnë lidhjet vëllazërore me besimtarët e fesë islame. Më pas pohoi:
“Mos harroni t’i luteni Shpirtit Shenjt, për ta bërë secilin nga ne burrë e grua që frymëzon bashkim, gjithnjë gati për t’ia kumtuar me gëzim, gjithkujt e gjithkund, Ungjillin e shëlbimit”.Së fundi i nxiti të gjithë të komunikojnë me ‘plagët e Jezusit’, duke u treguar tejet të vëmendshëm ndaj më të ligshtëve e më nevojtarëve. Përshëndeti, pastaj, me përzemërsi të posaçme, ipeshkvijtë e Kishës me traditë aleksandrine të Etiopisë dhe Eritresë, duke nënvizuar se është shumë pranë në lutjen e në dhimbjen për bijtë e trojeve të tyre, që humbën jetën në tragjedinë e Lampeduzës.








All the contents on this site are copyrighted ©.