2013-10-09 16:17:51

Papa: Kisha nuk është elitë, por shtëpi ku jetohet në unitet e harmoni


Pse Kisha është katolike? Me këtë pyetje e nisi Papa Françesku audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 60 mijë vetëve. Ati i Shenjtë ripohoi se në Kishë uniteti dhe larmia bashkëjetojnë në harmoni e, më pas, i ftoi edhe një herë të gjithë të rrinë larg përgojimeve, që mbjellin farën e përçarjes.

“Shtëpia e të gjithëve”, e përhapur në të katër anët e botës, e thirrur kudo t’i shkrijë në harmoni larmitë e natyrshme, që përbëjnë edhe pasurinë e saj. Kjo e shumë më tepër përmblidhet në cilësorin ‘katolike’, të cilin çdo i krishterë e kujton sa herë përsërit formulën e Besojmës, kur përmendet Kisha. Papa Françesku e ripohoi, duke u ndaluar në tre aspektet kryesore të kuptimit të kësaj fjale. Kisha është katolike, pohoi, kryesisht sepse është hapësira, është shtëpia, ku kumtohet feja në tërësinë e saj e ku shëlbimi, që solli Krishti, u ofrohet të gjithëve. E kjo nuk mund të mos e prekë ndërgjegjen e secilit prej nesh. Prej këndej, pyetjet:
“Kur shkoj në Kishë, a është njëlloj si të isha në stadium, në ndeshje futbolli? Si të isha në kinema? Jo! Është gjë krejt tjetër! Si shkoj unë në Kishë? Si i marr dhuratat, që m’i jep, për tu rritur, për të fituar pjekurinë e krishterë? A marr pjesë në jetën e bashkësisë, apo shkoj në Kishë e mbyllem brenda problemeve të mia, duke u izoluar nga të tjerët? Në këtë kuptim të parë, Kisha është katolike sepse, shtëpi e të gjithëve: të gjithë janë bij të Kishës e të gjithë janë në këtë shtëpi”.
Së dyti, Kisha është katolike, sepse shtëpi me porta të hapura për të gjithë, pa kurrfarë dallimi; është universale, e përhapur në të katër anët e botës për të kumtuar Ungjillin. Prandaj Ati i Shenjtë vërejti se:
Kisha nuk është grup të zgjedhurish, nuk merret vetëm me disa. Kisha nuk njeh kufizime, u drejtohet të gjithë njerëzve, mbarë gjinisë njerëzore. E njëjta Kishë është e pranishme deri në pjesët më të vogla të saj. Kisha nuk është vetëm ajo, që ndodhet nën hijen e këmbanares sonë, por rrok një mori njerëzish e popujsh, të cilët praktikojnë të njëjtën fe”.
Në këtë pikë, Papa iu drejtua zemrës së të krishterëve, duke i ftuar ta ndjejnë thellë në shpirt këtë përqafim universal, njëherësh me përgjegjësitë, që pasojnë:
Ta ndjesh veten në bashkim me të gjitha Kishat, me të gjitha bashkësitë katolike, të vogla a të mëdha të botës! E bukur, kjo! E pastaj ta ndjesh se të gjithë jemi në mision, bashkësi të vogla e të mëdha, të gjitha duhet t’i hapim portat tona e të dalim, për Ungjillin. Ta pyesim, atëhere, veten: çfarë bëj unë për t’ua komunikuar të tjerëve gëzimin, që gurron nga takimi me Zotin, harenë, që ta mbush përplot shpirtin, kur mendon se i përket Kishës? Kumtimi e dëshmimi i fesë nuk është gjë, që u përket pak njerëzve; është edhe detyra ime, jotja, e secilit prej nesh”.
Pika tretë, Kisha është katolike sepse shtëpi, në të cilën uniteti e larmia shkrihen në një, për t’u bërë pasuri. As më pak as më shumë, shpjegoi Papa Françesku, se simfonia, që buron nga akordi i instrumenteve të ndryshme, secili me timbrin e vet të pangatërrueshëm, që përpiqen të krijojnë harmoninë, dirigjenti i së cilës është vetë Shpirti Shenjt. E harmonia, tha në përfundim Papa Françesku, nuk ka asgjë të përbashkët me përpjekjet për të vënë në pah vetveten e aq më pak, me gojët e këqija:
Ka thashetheme? E, ka përgojime? Domethënë se nuk ka harmoni, po luftë. E kjo nuk është Kishë: Kisha është harmoni e të gjithëve. Prandaj, kurrë më thashetheme njëri kundër tjetrit, kurrë më grindje. Ta pranojmë tjetrin, ta pranojmë larminë, ta pranojmë se tjetri mund të ndryshojë nga ne, se mund edhe të mendojë ndryshe. Por, në të njëjtën fe, mund edhe të mendohet kështu! Apo duam ta rrafshojmë gjithçka? Duke harruar se rrafshimi e mbyt jetën. Jeta e Kishës është larmi e kur duam t’i rrafshojmë të gjithë e gjithçka, s’bëjmë tjetër, veçse të vrasim dhantitë e Shpirtit Shenjt!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.