2013-10-09 16:19:02

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Besoj në Tënzonë


Në reflektimin e 14-të, kushtuar Katekizmit të ri të Kishës Katolike, 20 vjet pas botimit, shpjegohen dy fjalët, me të cilat nis Besojma: “Besoj në Tënzonë”. Ta ndjekim shtjellimin e katekistit, Jezuitit atë Dariush Kovalçik.

“Besoj në Tënzonë” – ky është pohimi i parë i fesë. Mbasi Hyji është fillesa e fundi i të gjithave: “i pari e i fundmi” (Iz 44,6).Katekizmi nënvizon se i tërë Simboli i fesë “flet për Zotin” e, nëse flet edhe për njeriun e për botën, e bën këtë gjithnjë në lidhje të ngushtë me Hyjin (KKK 199). Të gjitha nenet e tjera të fesë varen nga i pari e janë shtjellim i tij.

Por këtu ndodhemi para një problemi, që ka të bëjë me vetë fjalën ‘Zot’. Kur shqiptojmë, për shembull, fjalën ‘dru’, e dimë për çfarë flitet. Por kur themi ‘Zot’, për çfarë a për kë flasim? Filozofi Buber vëren se “Zot” – është fjala më e mbingarkuar me kuptime, sesa të gjitha fjalët e gjuhës njerëzore. S’ka fjalë tjetër, mbi të cilën të jetë hedhur më shumë baltë, as fjalë, që të jetë sulmuar më shumë. Ndodh, prandaj, që kur ndokush dëshmon “Nuk besoj në Zotin”, ka plotësisht arsye, sepse ‘Zoti’, që ka ai në mendje, nuk ekziston me të vërtetë.

Në Katekizëm Zoti thirret me dy emra, të zbuluar në Bibël. I pari vjen nga Besëlidhja e Vjetër: “Unë jam Ai që jam” (Dal 3,14) – i tha Hyji Moisiut. Ky emër mund të interpretohet në mënyrë ekzistenciale, por edhe filozofike. “Unë jam” ka kuptimin e besnikërisë së Hyjit, që është gjithnjë “i pranishëm pranë popullit të vet, për ta shpëtuar” (KKK 207). Por “Unë jam”, do të thotë edhe se Hyji ekziston nga vetvetja, se ka qenë gjithmonë e se do të jetë përgjithmonë e jetës (cfr KKK 212).

Në Besëlidhjen e Re kemi një emër tjetër të Zotit. “Zoti është dashuri” (1 Gjn 4,8.16). Kjo do të thotë jo vetëm se Hyji na do, por edhe – siç e lexojmë në Katekizëm – “Vetë qenia e Zotit, është Dashuri” (KKK 221).

Gjithsesi duhet pohuar se Hyji, në të gjithë zbulesën, “mbetet mister i pashprehshëm” (KKK 230). Shën Agostini, me të drejtë pohon: “Po ta kuptoja, nuk do të ishte Zot”. Atëherë, nëse duke menduar për gjithçka ekziston, depërtojmë në misterin e realitetit, në fund do të depërtojmë edhe në atë, që e quajmë “Zot”.








All the contents on this site are copyrighted ©.