2013-10-08 11:26:43

Në tragjedinë e Lampeduzës, shumica e viktimave nga Eritrea. Nevojiten pika grumbullimi të sigurta para nisjes


Shumica e viktimave në tragjedinë e së enjtes së kaluar në Lampeduza ishin nga Eritrea. U mbytën para brigjeve italiane, në kufijtë e Evropës, njerëz që ikin nga një vend, i cili, pavarësisht se ka fituar pavarësinë 20 vjet më parë, nuk ka gjetur akoma një ekuilibër të brendshëm. Të dëgjojmë anëtarin eritreas të ojq-së Gandi, Alganesh Fesaha, i cili ndodhet në Lampeduzë për t’u kujdesur për bashkombasit e shpëtuar:
Deri tani, të gjithë njerëzit, që kemi identifikuar janë eritreas.
Edhe ndër të mbijetuarit?
Janë të gjithë eritreas.
Shifrat të lënë me gojë hapur. Pse ikin kaq shumë nga Eritrea?
Sepse ne kemi një regjim ushtarak diktatorial, që mbijeton prej 20 vjetësh: nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm partish, nuk ka punë, por ka shumë uri. Duhet të kryejmë shërbimin ushtarak që nga mosha 13-vjeçare deri në 54 vjeç, me një pagesë prej 25 dollarësh. Një i ri, kështu, nuk mund të sigurojë kurrë jetën e vet. Qeverisë eritrease nuk i mungojnë fondet, por ato shpenzohen për armatime. Kësaj i duhet dhënë fund! Edhe vendet evropiane nuk duhet ta ndihmojnë më këtë qeveri.
Lajmet nga Eritrea flasin për 5 mijë të burgosur politikë, rreth 70 mijë refugjatë e një situatë të nderë, sidomos në kufi, ku forcat e policisë kanë urdhër të qëllojnë…
Unë punoj në një kamp refugjatësh në Etiopi. Tani, numri i refugjatëve eritreas në katër kampet ekzistuese ka arritur në 89 mijë vetë. Të mbijetuarit në Lampeduzë tregojnë se kanë ardhur nga Libia, duke kaluar në duart e shumë ndërmjetësuesve, edhe eritreas. Gjatë udhëtimit janë rrahur e disa gra janë përdhunuar.
Ç’mund të bëjë, sipas jush, qeveria eritrease për të shmangur këtë ikje në masë?
Pikë së pari, para se të parandalojë ikjen në masë, qeveria eritrease duhet të ndryshojë. Ne do të bëjmë kërkesë për viktimat e Lampeduzës, që të kthehen për t’u varrosur denjësisht në vendin e tyre. Pra, do të kemi nevojë për leje, por jam i bindur se qeveria eritrease nuk do ta japë. Kjo është dramë e madhe. Në Eritre, kemi nevojë për ndryshime. Qeveria duhet ta heqë shërbimin ushtarak, t’u japë mundësi të rinjve të studiojnë, të lejojë lirinë e shtypit e të fjalës e t’u japë mundësi njerëzve të punojnë. Ç’duhet shërbimi ushtarak për gjithë jetën?








All the contents on this site are copyrighted ©.