2013-10-07 17:29:48

Shtëpia Botuese e Vatikanit me 700 tituj në Panairin e Librit në Frankfurt


700 tituj: kjo është shifra e vëllimeve, që Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV do të paraqesë në Panairin ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, nga 9 deri më 13 tetor. Ashtu si vitet e tjera, LEV do të ketë një hapësirë të vetën në këtë takim, ndër më të rëndësishmit në botë, me rreth 8 mijë ekspozues nga mëse 100 vende. Drejtori i Shtëpisë Botuese, don Xhuzepe Kosta ka në plan takime me qindra përfaqësues të shtëpive botuese botërore, gjë që tregon rritjen e interesit për publikimet vatikanase në përgjithësi e jo vetëm për librat e Papës.
Në qendër të stendës së LEV-it, prej 100 metrash katrorë, do të shihet një riprodhim i obeliskut të Sheshit të Shën Pjetrit, ndërsa dyshemeja do të jetë imitim i gurëve sanpietrinë të romës. Në mure, ndarë nga shtylla, do të ekspozohen botimet e LEV-it dhe të Muzeve të Vatikanit. Këta të fundit, sjellin në panair 200 vëllime. Të shumtë titujt e kardinalit Bergolio, në kohën kur akoma nuk ishte zgjedhur Papë, si edhe Enciklika e parë “Lumen Fidei”, mesazhet në Twitter e kolana “Fjalët e Papa Françeskut”. Gjithashtu, do të ekspozohen edhe shumë libra të Papës Benedikti XVI, ushtrimet shpirtërore të predikuara nga ipeshkvi Vojtila për artistët në vitin 1962, kur akoma nuk ishte bërë Papa Gjon Pali II, por edhe tituj të tjerë nga personazhe të njohura të Kishës Katolike e të artit kishtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.