2013-10-07 13:11:23

Papa: Kush është "larg”, mund ta dëgjojë zërin e Zotit


Ta lejojmë Hyjin ta shkruajë ai jetën tonë! Kjo është thirrja që bëri Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ai u ndalua tek figura e Jonës dhe e Samaritanit të Mirë dhe theksoi se edhe një i krishterë një katolik, mund të largohet nga Hyji, ndërsa një mëkatar, dikush që vështrohet si larg Hyjit, mund ta dëgjojë zërin e Zotit.
Jona i shërben Zotit, lutet shumë e bën mirë, por kur Zoti e thërret, niset e largohet. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke thelluar temën e “largimit nga Hyji”. Jona e kishte menduar vetë historinë e tij e nuk donte ta shqetësonte askush. Zoti e dërgon në Ninivë e ai merr një anije për në Spanjë, largohet nga Zoti.
“Largimi nga Zoti. Është e mundur të largohemi nga Zoti, por edhe si i krishterë, si katolik, si anëtar i Veprimit Katolik, si prift, ipeshkëv, Papë… të gjithë, të gjithë mund të largohemi nga hyji. Është një tundim i përditshëm. Mos të dëgjosh Zotin, mos të dëgjosh zërin e tij, mos të dëgjosh në zemër propozimin e tij, ftesën e tij. Është e mundur të largohemi menjëherë. Ka mënyra të tjerë për t’u larguar nga Hyji, pak më me edukatë, pak më të stërholluara, apo jo? Në ungjill kemi këtë njeri gjysmë të vdekur, të hedhur mbi shtrojën e rrugës e rastësisht një prift zbriste të njëjtës udhë, - një prift si duhet, me veladon, për së mbari, shumë i zoti. Vështron e shikon: ‘Bëhem vonë për meshë’, e vijon rrugën. Nuk ka dëgjuar zërin e Hyji, aty”.
Kalon një levit që ndoshta ka menduar: “Nëse e marr e i afrohem, ndoshta është i vdekur e nesër duhet të shkoj tek gjykatësi për të dëshmuar…” e vijon udhën. Edhe ai, thotë papa, ikën nga “ky zë i Hyjit. I vetmi që është i aftë të kuptojë zërin e Hyjit është dikush që zakonisht rrinte larg Hyjit, një mëkatar”, një samaritan. Ky, thotë Papa, “është mëkatar, larg Hyjit, por dëgjoi zërin e Hyjit dhe u afrua”. Samaritani nuk ishte i mësuar me zakonet fetare, me jetën morale, edhe teologjinë e kishte të gabuar, sepse samaritanët mendonin se Hyji duhej adhuruar tjetërkund e jo ku donte Zoti. Megjithatë, Samaritani “kuptoi se Hyji po e thërriste e nuk u largua. Iu afrua, i lidhi plagët, pasi i kishte lyer me vaj e verë, dhe e ngarkoi mbi kalorësi. Pastaj “e çoi në një bujtinë e u kujdes për të. Ka humbur tërë pasditen”.
“Prifti ka mbërritur në kohë për meshën e shenjtë e të gjithë besimtarët janë të kënaqur; leviti ka kaluar një ditë të qetë të nesërmen, sikurse kishte pasur ndër mend të bënte, sepse nuk i janë ngatërruar punët duke shkuar tek gjykatësi e kështu me radhë… Po pse u largua Jona nga Hyji? Pse u largua prifti nga Hyji? Pse u largua leviti nga Hyji? Sepse e kishin zemrën të mbyllur e kur e ke zemrën të mbyllur, nuk mund ta dëgjosh zërin e Hyjit. Përkundrazi, një samaritan që ishte në udhë ‘pa e u mallëngjye’: e kishte zemrën të hapur, ishte njerëzor. E njerëzia e afroi”.
“Jona, - vëren Papa – e kishte një shestim për jetën e vet: donte ta shkruante vetë historinë e vet” e kështu edhe prifti, edhe leviti. “Një shestim për punë”. Ky mëkatar, përkundrazi, “ka lejuar Hyjin që t’ia shkruajë jetën: atë pasdite ka ndryshuar gjithçka, sepse Zoti i ka afruar personin e këtij njeriu të shkretë, të plagosur, të plagosur keqas, të hedhur në rrugë”:
“Unë pyes veten dhe ju pyes edhe ju: a e lejojmë Hyjin ta shkruajë jetën, jetën tonë, apo duam ta shkruajmë vetë. Këtu bëhet fjalë për lakueshmërinë: a jemi të lakueshëm ndaj Fjalës së Hyjit? ‘Po, unë dua të jem i lakueshëm!’. Po ti, a je i aftë për ta dëgjuar, për t’ia vënë veshin? A je i aftë ta gjesh fjalën e Hyjit në historinë e çdo dite, apo rri më këmbë falë ideve tua e nuk e lejon Zotin të të flasë befas?”
Duke përmbledhur Papa tha se tre vetë janë duke u larguar nga Hyji dhe një tjetër, që është “i parregullt” është i aftë të dëgjojë, ta hapë zemrën e të mos largohet. Jam i sigurtë, thotë Papa, se të gjithë e shohim se samaritani, mëkatari nuk u largua nga Zoti. Zoti, tha në përfundim, “na beftë të aftë ta dëgjojmë zërin e Zotit, zërin e Tij, që na thotë: Shko e vepro kështu edhe ti!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.