2013-10-07 15:29:22

Nga Bratislava, ipeshkvijtë evropianë kërkojnë respekt për lirinë e fesë


Përfundoi dje në Bratislavë të Sllovakisë, Asambleja e përgjithshme e kryetarëve të 39 Konferencave Ipeshkvnore Evropiane. Gjatë tri ditëve, ata trajtuan temën e raportit ndërmjet Zotit e Shtetit, ndërmjet laicitetit dhe laicizmit në Evropë. I pranishëm për Shqipërinë, imzot Anxhelo Masafra, të cilin e keni dëgjuar në mikrofonin tonë.
Strukturat politike e ato fetare duhet ta respektojnë njëra-tjetrën, duke ruajtur autonominë. Ky qe përfundimi i takimit të ipeshkvijve, që u mbyll me një meshë solemne në katedralen e kryeqytetit sllovak. Ndarja e pushtetit dhe respekti i lirisë së tjetrit janë kushtet themelore për bashkëjetesën paqësore ndërmjet strukturave të shtetit dhe Kishës, u tha në Asamble. Liria fetare, kujtoi kryeipeshkvi i Bratislavës, imzot Stanislav Zvolenski, është element themelor për Kishën, por edhe vetë liria do të ishte pak e dobishme, nëse do të mungonte forca për ta dëshmuar fenë. Papa Françesku, bëri shaka kryeipeshkvi, mund të jetë ilaç i mirë kundër një lloj kulture të sofistikuar evropiane, që e konsideron fenë jashtë sferës publike.
Në dokumentin përfundimtar të ipeshkvijve të Evropës përdoret shpesh fjala “shpresë”. “Përgjigjja e Kishës – shkruhet në të – nuk mund të jetë mbyllja në vetvete, duke u shndërruar në një fortesë në Evropë. Pavarësisht nga ç’ndodh, të krishterët kanë një identitet të qartë, bazuar në fenë e tyre, e cila është e gjallë dhe zgjon shpresë… Të krishterët janë bartës të shpresës, të një përvoje e të një feje, që është interesante për të gjithë”. Ipeshkvijtë evropianë mendojnë se shpresa, për të cilën flet Kisha Katolike është ajo, që kërkon sot bota. Është guximi për të përballuar situata të vështira, është fryma e kulturës së takimit me njerëzit, duke pasur parasysh misionin ungjillëzues të Kishës, e cila e ndjen se duhet të japë përgjigje për të gjitha aspektet e jetës së njeriut.
Gjatë asamblesë së Bratislavës u trajtuan edhe çështje si refugjatët dhe emigrantët, në dritën e ngjarjeve të fundit në ishullin italian të Lampeduzës. Ipeshkvijtë kërkuan solidaritet të vërtetë për më të varfërit, që situata të tilla të mos përsëriten më. E së fundi, thirrja për të zgjidhur me dialog e pa hipokrizi gjendjen në Siri. Ipeshkvijtë kërkuan të vendoset menjëherë armëpushimi dhe të ndalet hyrja e armëve në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.