Në Asizi, Papa përqafon të rinjtë me të meta fizike: t’i prekim plagët e tyre, janë
ato të Jezusit
Në plagët e sëmundjes fshihet vetë dhimbja e Jezusit, e cila duhet dëgjuar e pranuar
me një dashuri, që i kundërvihet indiferencës tipike të “kulturës së hedhurinave”.
Kjo qe ideja mbizotëruese e takimit të parë të Papës Françesku në Asizi. Pak para
orës 8.00, para kohës së parashikuar në program, Ati i Shenjtë hyri në Institutin
Serafik, i cili që nga viti 1871 mbledh e ndihmon të rinj me të meta të rënda fizike
nga e gjithë Italia. Papa Bergolio foli pa letër, pavarësisht se edhe fjalimet e përgatitura
janë paraqitur nga shtypi, e para se të largohej, doli në dritaren e Institutit për
të përshëndetur turmën e stërmadhe, që shtyhej jashtë. Edhe kjo përshëndetje nuk ishte
parashikuar në program.
“Jemi në mesin
e plagëve të Jezusit” e këto plagë na kërkojnë të preken nga të gjithë ata, që e quajnë
veten të krishterë. Papa Françesku, që shtrëngon në duar letrat me fjalimin e përgatitur,
nuk lexon asnjë rresht. Sytë e tij janë të ngulur në sytë e fëmijëve dhe të rinjve
me të meta fizike, të cilët i përgjigjen me një gjuhë, që përmban tinguj të panjohur,
por përsosurisht të kuptueshëm për atë, që përdor fjalorin e solidaritetit të krishterë: “Këtu
është Jezusi, i fshehur ndër këta të rinj, ndër këta fëmijë, ndër këta njerëz. Në
elter, adhurojmë Korpin e Krishtit, në ta, gjejmë plagët e Jezusit. Jezusi i fshehur
në Eukaristi e Jezusi i fshehur në këto plagë… Kanë nevojë të dëgjohen. Ndoshta, jo
aq nëpër gazeta, si lajm… Ai është një lloj dëgjimi, që zgjat një, dy, tre ditë, pastaj
vjen një lajm tjetër, një tjetër akoma… Duhet të dëgjohen nga ata, që i thonë vetes
të krishterë”. Në kishën e Institutit Serafik, vend ku adhurohet gjithnjë
Korpi i Krishtit, fjalët e Papës duken si lutje. Lutje thelbësisht françeskane, lutje
e thjeshtë, që ngul këmbë në një pikë të rëndësishme e të vetme: “I krishteri
adhuron Jezusin; i krishteri e kërkon Jezusin; i krishteri është i tillë kur i njeh
plagët e Jezusit. E sot, këtu, të gjithë ne, kemi nevojë të themi: ‘Këto plagë duhen
dëgjuar, duhen prekur!’. Por ka edhe diçka tjetër, që na jep shpresë. Jezusi është
i pranishëm në Eukaristi, këtu është Korpi i Krishtit; Jezusi është i pranishëm ndërmjet
nesh: e Korpi i Jezusit janë plagët e Tij në këta persona”. Pas të rinjve
me probleme fizike, qëndrojnë asistentët, të parët, që i njohin dhe i mjekojnë çdo
ditë plagët e Jezusit, në fytyrat e në trupin e këtyre djemve e vajzave. Të bësh këtë,
pati thënë në fillim drejtoresha e Institutit, është privilegj e dhuratë. E në gjirin
e asaj dashurie pa interes, Papa, që mban emrin e shenjtit frymëzues të këtij vendi
kurimi, vë në dukje, ndërmjet plagëve të sëmundjes, shenjën e bukurisë së shndërruar
nga Hyji: “Është interesante kjo: Jezusi, kur u ngjall, ishte shumë i bukur.
Nuk kishte në trup as mavijosje, as plagë… asgjë! Ishte më i bukur! Vetëm se deshi
t’i mbante plagët e t’i çonte në Qiell. Plagët e Jezusit janë këtu e janë edhe në
Qiell, para Atit. Ne mjekojmë plagët e Jezusit këtu e Ai, nga Qielli, na i tregon
plagët e na thotë të gjithëve: ‘Po të pres!”. Por plagët e Jezusit në më të
brishtët e shoqërisë, vazhdon Papa, shpesh injorohen nga “kultura e hedhurinave” e
botës bashkohore. E pikërisht në fjalimin e palexuar, por të publikuar, Ati i Shenjtë
kërkon të vendosen nevojtarët në qendër të vëmendjes së shoqërisë e të politikës,
duke mos i lënë vetëm familjet, që duhet të kujdesen për ta. “Të shumëfishojmë veprat
e kulturës së mikpritjes – nënvizon Papa Françesku – vepra të frymëzuara nga dashuria
e thellë e krishterë, dashuri për Krishtin e Kryqëzuar, për Korpin e Krishtit, vepra,
në të cilat bashkohen profesionaliteti, puna e kualifikuar dhe e paguar si duhet,
me këtë thesar të çmuar, që është vullnetariati”. Fundi i fjalimit të mbetur në
letër t’i mbush sytë me lot. Papa Françesku citon disa rreshta të një letre, që i
ka shkruar Nikolasi 16-vjeçar nga Buenos Ajresi, handikapat që nga lindja. Përmes
penës së prindërve – sepse Nikolasi nuk shkruan, nuk flet e nuk ecën – ai i thotë
Atit të Shenjtë se ka marrë Kungimin e parë e në nëntor do të marrë Krezmimin. Pastaj
vazhdon: “Çdo natë, që kur na e ke kërkuar, unë i them Engjëllit tim të Rojes, që
quhet Euzebio e ka durim të madh, të të ruajë e të të ndihmojë. Të jesh i sigurtë
se e bën shumë mirë këtë punë, sepse ai kujdeset për mua e më shoqëron çdo ditë! Ah!
E kur nuk kam gjumë… vjen të luajë me mua! Do të më pëlqente shumë të vija për të
të parë e për të marrë bekimin tënd e një puthje: vetëm kaq! Të përshëndes e vazhdoj
t’i lutem Euzebios, që të kujdeset për ty e të të japë forcë. Përqafime. NIKO”.