“Turp i madh, kurrë më tragjedi të tilla”: kështu Papa Françesku për dramën e emigrantëve
në Lampeduzë, në 50-vjetorin e “Pacem in Terris”
Donte të fliste për paqen sot, Papa Françesku, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e
ditëve për kremtimin e 50-vjetorit të Enciklikës “Pacem in Terris”, nënshkruar nga
i Lumi Gjoni XXIII më 11 prill të vitit 1963, në kulmin e Luftës së Ftohtë, ndërsa
nuk kishte kaluar as një vit nga radiomesazhi i famshëm i 25 tetorit 1962, me të cilin
Ati i Shenjtë u bënte thirrje të mëdhenjve të botës, në prag të një konflikti të mundshëm
atomik: “Vini dorën në zemër e dëgjojeni britmën plot ankth që ngrihet në Qiell nga
të gjitha skajet e tokës, që nga fëmijët tek të moshuarit, që nga personat tek bashkësitë:
Paqe, paqe!”. Donte të fliste për këtë paqe, Papa Françesku, sepse edhe sot, si
50 vjet më parë, paqja është një nga emergjencat e pazgjidhura të njerëzimit, mjafton
të shohim ç’po ndodh në Lindjen e Mesme e në Siri. Donte të fliste për paqen Papa
– dhe foli – por jo pa kujtuar një nga tragjeditë, që ndodhin përditë në Detin Mesdhe:
mbytjen e një barke me 500 emigrantë në të, shumë prej të cilëve gra e fëmijë. Gjendje,
që Ati i Shenjtë e përshkroi si mungesë të paqes, si mungesë respekti për njeriun,
duke kujtuar me dhimbje të thellë viktimat e shumta mbytur dje para ishullit italian
të Lampeduzës, ku vetë Papa shkoi për t’u takuar me emigrantët, në udhëtimin e tij
të parë, pas një zbarkimi masiv, më 8 korrik të këtij viti: “Më vjen fjala ‘turp’…
Është trup! T’i lutemi së bashku Zotit për ata, që kanë humbur jetën: burra, gra,
fëmijë… të lutemi për familjarët e për të gjithë refugjatët. T’i bashkojmë forcat
që të mos përsëriten më tragjedi të tilla! Vetëm bashkëpunimi i vendosur i të gjithëve
mund t’i parandalojë!” Vetëm pak më parë, duke përshkruar temat e kuvendit
për 50-vjetorin e Enciklikës “Pacem in Terris”, si emergjenca edukative, ndikimi i
mjeteve të komunikimit në ndërgjegjet e njerëzve, përdorimi i lëndëve të para, etika
e përdorimit të kërkimeve në fushën e biologjisë, armatosja dhe masat e sigurisë kombëtare
e ndërkombëtare – të gjitha tema, që ndikojnë fuqimisht në fluksin e emigracionit
në botë – Ati i Shenjtë pyeti: “ ‘Pacem in Terris’ përvijon një linjë, e cila
shkon nga paqja për t’u mbrujtur në zemrën e çdo njeriu tek rishikimi i modelit tonë
të zhvillimit e të veprimit në të gjitha nivelet, që bota jonë të jetë botë e paqes.
Pyes nëse jemi gati ta vemë në jetë ftesën e enciklikës”. Pavarësisht se janë
shembur mure e kanë rënë barriera, theksoi Papa Françesku, bota ka akoma nevojë për
paqe, prandaj “Pacem in Terris” mbetet gjithnjë aktuale. Por cili është themeli mbi
të cilin ndërtohet paqja? Enciklika e Gjonit XXIII pohon se është zanafilla hyjnore
e njeriut, e shoqërisë dhe e vetë autoritetit, që i impenjon njerëzit, familjet, grupet
shoqërore e shtetet të jetojnë në drejtësi e solidaritet. Por këto, e ngre zërin Ati
i Shenjtë, janë vetëm fjalë në fjalor, apo të gjithë ne punojmë për t’i kthyer në
realitet: “Është detyrë e të gjithë njerëzve të ndërtojnë paqen, sipas shembullit
të Jezu Krishtit, përmes këtyre dy rrugëve: nxitja e zbatimi i drejtësisë me dashuri
e vërtetësi dhe dhënia e kontributit, secili sipas mundësive, në zhvillimin e përgjithshëm
njerëzor, sipas logjikës së solidaritetit”. Duke pranuar zanafillën hyjnore
të njeriut, vazhdoi Papa, Enciklika “Pacem in Terris” vinte në pah vlerën e dinjitetin
e secilit, që duhet mbrojtur e respektuar gjithnjë, duke u dhënë të gjithëve të drejtat
qytetare e politike, por edhe mundësinë reale për të pasur ushqim, shtëpi, kura shëndetësore,
arsim, mundësi për të formuar e mbajtur familjen. Pas 50 vjetësh, vërejti Ati i Shenjtë,
a e gjejmë këtë lloj zhvillimi në shoqëri? “Kriza ekonomike botërore, që është
simptomë e rëndë e mungesës së respektit për njeriun e për të vërtetën, me të cilën
janë marrë vendime nga ana e qeverive dhe e qytetarëve, na e thotë qartë këtë”. Kisha,
përfundoi Papa Françesku, nuk jep zgjidhje konkrete për tema politike dhe ekonomike,
të cilat i duhen lënë diskutimit të lirë, por pa dyshim, e ka për detyrë të nxisë
dialogun, respektin, durimin, sinqeritetin, deri në ndryshimin e mendimit e të mendësisë
së secilit, nga individi tek shteti.