Tragjedi e tmerrshme në Lampeduzë. Kryeipeshkvi: mjaft me të vdekur
“Në fund të detit, si në fund të botës, shkuan fëmijët – ëngjëj dhe gratë - sirena
tragjedie. Përsipër shkumbëzojnë harrimet dhe braktisja. Anija u përmbys bashkë me
atdheun dhe u kthye në arkivol. Deti – varr”. Është kjo pjesë e “Elegjisë për
të mbyturit e së premtes para Pashkëve”, të poetit shqiptar Visar Zhiti, që na vjen
ndërmend, ndërsa akoma numërohen viktimat e zbarkimit të fundit në ishullin e Lampeduzës
në Itali. Tragjedi e jashtëzakonshme, në mos tjetër, për shifrat. Sipas emigrantëve
të shpëtuar, në barkën e ëndërrave, që vinte drejt Evropës, ndodheshin 500 vetë e
deti ka nxjerrë deri tani, mëse 200 kufoma. Duhen bërë hetime, por sipas tregimeve,
dy o tre anije peshkimi u janë afruar emigrantëve pa i ndihmuar. “Përsipër shkumbëzojnë
harrimet dhe braktisja” shkruan poeti. Tragjeditë i ngjajnë njëra-tjetrës! Të detyruar
të ndezin zjarre për të lajmëruar praninë e tyre, emigrantët përfunduan në fund të
detit bashkë me “govatën” ku kishin hipur. Tani të gjithë flasin për tragjedi, por
tepër vonë, siç theksoi edhe kryeipeshkvi i Agrixhentos, imzot Françesko Montenegro.
“Nuk mund të vazhdojmë të mbajmë llogarinë e të vdekurve – deklaroi sot ai – duhet
të mobilizohemi, të bëjmë diçka konkrete për të shmangur tragjeditë ciklike të dëshpërimit”.
E Papa Françesku, duke nxitur impenjimin e Kishës Katolike, vullnetarët e së cilës
janë pranë emigrantëve, shkruan në faqen e tij në Twitter: “T’i lutemi Zotit për viktimat
e mbytura para Lampeduzës”. Mbytja e sa e sa emigrantëve në brigjet italiane, pranë
njërit prej plazheve më të bukura të botës, ndodhi një ditë pasi Këshilli i Evropës
dënoi rëndë politikën e Italisë për emigracionin. Dje, Strasburgu deklaroi se masat
e viteve të fundit janë të gabuara dhe nuk i kanë dhënë vendit mjetet e nevojshme
për të përballuar një fluks, që do të vazhdojë. Në raport kritikohen sidomos kthimet
me forcë në Libi, ku emigrantët mund të torturohen, shprehet mendim negativ për Qendrat
e Mbrojtjes së Përkohshme për emigrantët dhe për deklarimin e herëpashershëm të gjendjes
së emergjencës, pretekst për të marrë masa të jashtëzakonshme, që shkojnë përtej kufijve
të caktuara nga ligjet kombëtare e ndërkombëtare. Sistemet italiane të kontrollit,
sipas britanikut Kristofer Çoup, që ka shkruar raportin, lënë për të dëshiruar, prandaj
shumë emigrantë drejtohen për në Itali, pikërisht për të shfrytëzuar këtë fakt. Në
tekst kërkohet që vendi të gjejë zgjidhje politike më të mira për të përballuar si
duhet fluksin e emigrantëve e të refugjatëve. Vetëm kjo, përfundon raporti, mund t’i
bindë vendet e tjera evropiane ta mbështesin e të solidarizohen me Italinë.