Papa në meshën e mëngjesit: Përkujtimi nuk është thjesht kujtesë. Mesha nuk është
mbledhje shoqërore.
“Kur Hyji vjen e afrohet, është gjithmonë festë”: mbi këtë gjë vuri theksin Papa Françesku
në meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në të cilën morën pjesë anëtarët e “Këshillit
të kardinalëve” që gjatë këtyre ditëve është mbledhur me Papën në Vatikan. Gjatë predikimit,
papa nënvizoi se nuk duhet ta shndërrojmë përkujtimin e shpëtimit në një kujtim, në
një “ngjarje të rëndomtë”. Meshta nuk është një ngjarje shoqërore, por prania e Zotit
mes nesh. Esdra lexon Librin e Ligjit, që mendohej se kishte humbur, ndërsa populli,
i mallëngjyer, qan nga gëzimi. Papa Françesku është nisur nga pjesa e librit të Nehemisë,
leximi i parë i sotëm, për ta përqendruar homelinë mbi temën e përkujtimit. Populli,
tha Ati i Shejtë, “e kishte përkujtimin e Ligjit, por ishte një përkujtim i largët”,
ndërsa atë ditë “përkujtimi është afruar” e kjo gjë prek zemrën. Ata qanin nga gëzimi,
jo nga dhimbja, sepse po përjetonin afërsinë e shpëtimit. “Kjo është e rëndësishme
jo vetëm në momentet e mëdha historike, por në momentet e jetës sonë: të gjithë e
kemi përkujtimin e shpëtimit, të gjithë. Por unë e pyes veten: ky përkujtim është
afër nesh, apo është një përkujtim disi i largët, disi i vjetërsuar, pak a shumë për
muze, që mund të shkojë larg… e kur përkujtimi nuk është afër, kur nuk e përjetojmë
afërsinë e përkujtimit, ai hyn në një proces tjetërsimi dhe përkujtimi bëhet thjesht
kujtim”. Kur përkujtimi largohet, shtoi Papa, “shndërrohet në kujtim; por kur
afrohet, kthehet në gëzim e ky është gëzimi i popullit”. Pastaj vijoi duke thënë se
ky është një “parim i jetës sonë të krishterë”. Kur përkujtimi afrohet, “bën dy gjëra:
ngroh zemrën dhe jep gëzim”: “Ky gëzim është forca jonë. Gëzimi i përkujtimit
të afërm. Përkujtimi i zbutur, që venitet e bëhet thjesht kujtim, nuk e ngroh zemrën,
nuk na jep gëzim as forcë. Ky takim me përkujtimin është ngjarja e shëlbimit, është
takim me dashurinë e Hyjit që ka bërë histori me ne e na ka shpëtuar; është takimi
i shpëtimit. Shpëtimi që gjejmë është kaq i bukur, sa duhet festuar”. “Kur
Hyji vjen e afrohet, – pohon Ati i Shenjtë – është përherë festë. Shpesh herë ne të
krishterët kemi frikë nga festa, nga kjo festë e thjeshtë e vëllazërore, që është
dhurata e afërsisë së Zotit”. Jeta, shton Papa, na çon larg nga kjo afërsi e mbetemi
vetëm me kujtimin e shpëtimit, jo me përkujtimin, që është i gjallë”. Kish ka përkujtimin
e saj, përkujtimin e mundimeve të Zotit. Edhe neve na ndodh të largohemi nga ky përkujtim
e ta shndërrojmë në një kujtim, në një ngjarje të rëndomtë. “Çdo javë shkojmë
në kishë, ose, kur vdes dikush, shkojmë në funeral … e ky përkujtim, shpesh herë,
bëhet i mërzitshëm, sepse nuk është i afërt. Është e trishtueshme, por shpesh herë
mesha shndërrohet në një ngjarje shoqërore e nuk jemi afër përkujtimit të Kishës,
që është prania e Zotit para nesh. Le të mbajmë parasysh këtë skenë të bukur të librit
të Nehemisë: Esdra, që mbart librin e përkujtimit të Izraelit, dhe populli, që i afrohet
përkujtimit të vet dhe qan, i ngrohet zemra, ndjen gëzim, ndjen se gëzimi i Zotit
është forca e tij. Është festa, pa frikë, në thjeshtësi”. “T’i lutemi Zotit,
-përfundon papa, të na japë hirin që ta mbajmë gjithmonë pranë përkujtimin e tij,
një përkujtim i afërt e jo i dobësuar për shkak të zakonit dhe të shumë gjërave, i
larguar si një kujtim i çfarëdoshëm”.