2013-10-02 16:03:04

Reforma e Kuries, Sinodi e kolegjialiteti, në qendër të punimeve të Këshillit të Kardinajve. Konferencë shtypi e atë Federiko Lombardit


Përfundon nesër në Vatikan, mbledhja e Këshillit të Kardinajve, grupit të tetë prelatëve, që kanë për detyrë ta ndihmojnë Papën Françesku në qeverisjen e Kishës e në rishikimin e Kushtetutës Apostolike “Pastor Bonus” për Kurien Romake. Punimet filluan dje paradite në Bibliotekën private të apartamentit papnor në Pallatin Apostolik për të vazhduar sot në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë ishte gjithnjë i pranishëm, me përjashtim të kohës së audiencës së përgjithshme.
Për këto punime, sot, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi mbajti një konferencë me gazetarët. Theksoi se punimet e grupit të kardinajve filluan me reflektime nga Koncili II i Vatikanit e nga këndvështrimi i përgjithshëm teologjik e shpirtëror për Kishën Katolike, pasi riorganizimi i Kuries Romake bën pjesë në këtë këndvështrim e nuk është thjesht punë administrative:
“Anëtarët e Këshillit ishin përgatitur, pati edhe reflektime me karakter teologjik, shpirtëror, nga ana e tyre, për të kujtuar e për të shikuar drejt perspektivës së Kishës, frymëzuar nga Koncili, për të përtërirë misionin e saj, marrëdhëniet ndërmjet Kishës universale dhe Kishave lokale; pati reflektime mbi temën e bashkimit, të pjesëmarrjes, të kolegjialitetit në drejtimin e Kishës, mbi temën e Kishës së të varfërve, mbi rolin e laikëve në Kishë, mbi karakterin e shërbimit të të gjitha institucioneve kishtare e mbi përgjegjësinë e të gjithë anëtarëve të Kishës për të mirën e përbashkët”.
Dje pasdite, në Shtëpinë e Shën Martës, vazhdoi sqarimet atë Lombardi, u fol për Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve. Papa Françesku e ka lajmëruar temën e Sinodit, temë antropologjike, kushtuar njeriut e familjes në dritën e Ungjillit. Ishte i pranishëm në mbledhje edhe Sekretari i ri i përgjithshëm i Sinodit, imzot Lorenco Baldiseri:
“Iu dha një farë përparësie kësaj teme, qysh në mbledhjen e pasdites së djeshme, si për rëndësinë e pjesëmarrjes së ipeshkvinjve, përmes Sinodit, në jetën e Kishës universale, ashtu edhe për urgjencën në saktësimin e fillimin e përgatitjes për Sinodin e ardhshëm”.
Argumenti tjetër i rëndësishëm në mbledhjen e kardinajve ka të bëjë me baritorinë familjare e martesore, për të cilën Papa ka kërkuar shpesh studime e thellime. Sipas zëdhënësit të Vatikanit, kjo temë do të jetë në plan të parë të veprimtarisë së Kishës në muajt e ardhshëm. Pas një ose dy javësh, Sekretaria e Sinodit do të japë informacione më të sakta për këtë. Përsa i përket reformës së Kuries Romake, atë Lombardi nënvizoi disa aspekte:
“Marrëdhëniet e dikastereve me Atin e Shenjtë, koordinimi ndërmjet dikastereve dhe funksioni i Sekretarisë së Shtetit e kështu me radhë… Janë tema shumë të gjera, të ndërlikuara, për të cilat ka një sasi të madhe sugjerimesh. Tani po punojnë mbi këtë tematikë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.