IOR publikon për herë të parë Raportin vjetor. Fon Frajberg: vazhdojmë të impenjohemi
për transparencën
IOR (Instituti për Veprat Fetare), që njihet si Banka e Vatikanit, publikoi sot, për
herë të parë, raportin vjetor për vitin 2012. Në rreth 100 faqet, që mund të konsultohen
në internet, vihet në dukje se gjatë vitit të kaluar, IOR-i ka pasur një fitim prej
86,6 milion eurosh, duke kontribuar kështu në buxhetin e Selisë së Shenjtë me 54,7
milion euro. Natyrisht, bilanci i Institutit bëhet çdo vit, prandaj nuk përbën risi
në vetvete. E reja qëndron në faktin se ai është bërë publik për herë të parë, në
vazhdën e impenjimit të Selisë së Shenjtë për transparencën e veprimtarive, që kryen
IOR-i. Në mikrofonin tonë, presidenti i Institutit, Ernst Fon Frajberg: Paraqitëm
Raportin e parë vjetor në 125 vjetët e historisë së IOR-it. Ai përmban një përshkrim
për punën tonë, një përmbledhje të vitit 2012 e të tetë muajve të parë të vitit 2013,
deklaratat e Mbikqyrësve, të Komisionit të kardinajve dhe të prelatit të Institutit.
Gjithashtu, përmban edhe 60 faqe me deklarime financiare të detajuara, si edhe verifikimet
e plota të KPMG-së (Shoqëri çertifikimi ndërkombëtar). Nga Raporti shihet qartë një
institucion financiar, i administruar në mënyrë konservatore, që i mbron aksionet,
investon me shumë kujdes në obligacione shtetërore, ose në depozita bankare. Raporti,
siç e thatë edhe ju, nuk është ndonjë gjë e re, por publikimi i tij është risi. Kjo
bën pjesë në politikën e transparencës, që keni ndërmarrë prej kohësh, apo jo? Ai
është elementi kyç. Që nga marsi, po vemë në jetë një strategji të bazuar në tri shtylla.
Njëra është dialogu me mediat, duke i informuar sistematikisht për faktet. Tani, kemi
edhe një zyrë shtypi për IOR-in. Elementi i dytë është krijimi i një faqeje interneti,
e cila, të shërbejë si burim i sigurtë i lajmeve për Institutin. Elementi i tretë
është pikërisht, publikimi i raportit vjetor. Me të, i drejtohemi së pari Kishës.
Ka rreth një miliard katolikë në botë, që kanë të drejtë të dinë se ç’bën kjo pjesë
e Selisë së Shenjtë. Kanë të drejtë edhe të kuptojnë si kontribuojmë për të mirën
e Kishës në botë. Pastaj, u drejtohemi partnerëve, pra, bankave korresponduese, të
cilat kanë besim në qëndrueshmërinë tonë. Grupi i tretë përbëhet nga media, analistë
financiarë e publiku, në përgjithësi. Ju po merreni tani me kontrollin e llogarive
të depozituara në IOR. Si po shkon kjo punë? Po shkon mirë. Që nga maji, kemi
impenjuar për këtë një shoqëri amerikane, që quhet “Promontory-Group”. Ajo po kontrollon
çdo llogari e po bën hetime të veçanta për secilin. Së bashku me amerikanët, kemi
shqyrtuar procedurat e pranimit të klientëve dhe trajtimin e tyre, në mënyrë që në
Institutin tonë, të mos ketë spastrime parash. 20-25 vetë të “Promontory-Group” bëjnë
këtë punë përditë. Hapi tjetër i rëndësishëm do të jetë përmirësimi i produkteve dhe
i shërbimeve për klientin.