2013-10-01 14:35:46

Dita e komunikimeve shoqërore 2014: “Në shërbim të një kulture të mirëfilltë të takimit”


Në epokën multimediale, komunikimi ka marrë dy karakteristika të qarta: është “zgjeruar” dhe është i “pandërprerë”. Ky është një dinamizëm që lehtëson si kurrë më parë kontaktin mes njerëzve dhe botëve. Në këtë kontekst shtrohet tema e mesazhit për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore 2014, që u bë e ditur dje, me titullin: “Komunikimi në shërbim të një kuture të mirëfilltë të takimit”. Mesazhi ka si synim të shqyrtojë mundësitë e komunikimit në një botë të lidhur në rrjet gjithnjë e më shumë.
Qysh në audiencën e me asamblenë e përgjithshme të dikasterit të Komunikimeve Shoqërore të Vatikanit, Papa Françesku i kishte ftuar ekspertët e kësaj fushe që të “zbulojnë bukurinë e gjithçkaje që është në themel të ecjes sonë e të jetës sonë, bukurinë e Krishtit, edhe me anë të mjeteve të komunikimit shoqëror, përveçse nëpërmjet takimit personal”.
Epoka e globalizimit, thotë komunikata, “bën që detyrimisht komunikimi të arrijë gjer në qoshet më të largëta të botës reale”, por është njësoj e nevojshme të arrihet “në fushat e krijuara nga teknologjitë e reja, në rrjetet sociale, për të nxjerrë në pah një prani që dëgjon, dialogun, inkurajon”. Secili prej nesh, përfundon shënimi, “duhet të pranojë sfidën për të qenë i vërtetë, duke dëshmuar vlerat në të cilat beson, me identitetin e vet të krishterë, me kulturën e trashëguar, që shprehen me një gjuhë të re, për të komunikuar më mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.