2013-09-30 17:18:29

Raporti i KiE për zgjedhjet: Procesi i votmit, i mirë ose shumë i mirë në 94% të qendrave


Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës miratoi sot me konsensus raportin për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Në debat ishte e pranishme Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Valentina Leskaj e cila deklaroi se fitorja e thellë është përgjegjshmëri për të përmbushur pritshmëritë e publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit thuhet ndër të tjera se këto zgjedhje ishin kompetitive, me pjesëmarrje aktive të qytetarëve përgjatë gjithë fushatës dhe në respekt të lirive themelore. Sidoqoftë sipas këtij raporti, u vu re një atmosferë mosbesimi mes dy partive politike duke njollosur mjedisin elektoral dhe duke sfiduar administrimin e tërë procesit zgjedhor. Raporti adreson kritika për KQZ-në në lidhje me median.“Më 3 qershor KQZ, miratoi një vendim kundërthënës që detyronte mediat elektronike, të transmetonin materiale të përgatitura nga subjektet politike, në studiot e tyre, pa ndërhyrje nga stafet editoriale të vetë mediave. Ky vendim nuk ishte ne përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së, duke kufizuar lirinë editoriale dhe të drejtën e shikuesve për raportim të pavarur. Institucioni i Avokatit te Popullit kërkoi tërheqjen e këtij vendimi” – thuhet në Raport.
Këshilli i Europës vëren se në ditën e zgjedhjeve pati raste të izoluara dhune, një prej të cilave përfundoi tragjikisht me një të vdekur dhe 2 të plagosur, njëri prej të cilëve ishte kandidat për deputet. Sipas raportuesve të Këshillit të Europës, procesi i votimit cilësohet si i mirë ose shumë i mirë, në 94% të qendrave të votimit dhe i keq vetëm në 6% të tyre, megjithatë në 14% të qendrave u vërejt votim familjar dhe në 12 qendra votim i shumëfishtë. Një tjetër shkelje që vihet re në raport është fenomeni i blerjes se votës, që sipas Këshillit të Europës është vënë re tek komuniteti rom dhe tek komunitete të varfra në zonat rurale të Shqipërisë. Raporti thekson, se përdorimi i institucioneve shtetërore për interesat e partive, kombinuar kjo me zëra te besueshëm për blerje te votës apo presion mbi punonjësit e administratës publike, ndikuan negativisht mbi klimën parazgjedhore dhe këto fenomene, duhen shmangur në të ardhmen.
Një tjetër kritike e Këshillit të Europës ka të bëjë me financimin e fushatës, pasi këto zgjedhje nuk prodhuan dot transparence të mjaftueshme mbi këtë çështje. Sipas Këshillit të Europës, përgjatë fushatës elektorale ishte e vështire të dalloje kufirin midis institucioneve shtetërore dhe interesit të partive politike, pasi PS dhe PD, përdoren ne fushate mjetet publike dhe ndërtesa publike për qëllime elektorale. Për më tepër, citon raporti, edhe faqja zyrtare e kryeministrisë përmbante takimet e tij elektorale. “KQZ duhet të jete një trupë e pavarur dhe duhet të perceptohet si e tillë, për të fituar autoritetin mbi administrimin e zgjedhjeve dhe besimin e qytetarëve.”- thuhet në raportin e Këshillit të Europës.

(er.nu/news24/BalkanWeb)









All the contents on this site are copyrighted ©.