2013-09-30 17:52:29

Përshkimi i artit publik


Një ekspozitë arti në rrugën që lidh Tiranën dhe Shkodrën me punime nga: Nikolin Bujari, Kueng Caputo, Ledia Kostandini, Matilda Odobashi u zhvillua dje me temën “Tiranë/Shkodër Përshkimi i Artit Publik”. Ky është një bashkëpunim mes artistëve bashkëkohor shqiptarë dhe zviceranë. Artistët ishin ftuar për të punuar mbi një projekt të posaçëm në rrugën mes kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, dhe qytetit të Shkodrës, në kufij me Malin e Zi. Ndonëse Tirana është kryeqyteti i artit dhe krijimeve artistike, Shkodra është qyteti më i vjetër dhe më i madh në veri të vendit me një traditë tepër të rëndësishme në art, muzikë dhe film. Rruga e cila lidh këto dy qytete që të drejton edhe për në Kosovë është ndër akset kryesore e përdorur nga shumë njerëz në lëvizjet e tyre të përditshme. Përveç disa monumenteve të bëra kryesisht për qëllime patriotike dhe çështje identiteti, siç janë statuja të figurave historike apo simbolika të ndryshme të këtij tipi, të cilat janë të vendosura pothuajse të gjitha, në qendër të qytetit, arti publik në Shqipëri është me pakicë. Jo vetëm duke lënë hapësirat e muzeve apo galerive, por edhe qytetin vet, projekti synon të shkojë përtej mureve fizike apo simbolike qofshin, për tu përballur me një territor dhe një publik më të gjerë. Një ndër synimet kryesore të ekspozitës ishte edhe bashkimi i artistëve shqiptarë dhe zviceranë të cilët në punët e tyre kanë në fokus edhe artin publik. Të dy krahët kanë nevojë për njëri-tjetrin, artistët zviceran e kanë eksperimentuar artin në hapësira publike shpeshherë një fenomen i zakonshëm në Zvicër dhe me një traditë të gjatë, ndërsa artistët shqiptarë janë të familjarizuar me ambientin dhe rrethanat në Tiranë dhe Shkodër.
Ekspozita është organizuar nga Tirana Art Lab, qendër për Artin Bashkëkohor. Është kuruar nga Adela Demetja dhe Eveline Ëüthrich.
(shekulli)










All the contents on this site are copyrighted ©.