2013-09-30 13:02:06

Papa: paqja e gëzimi, e jo organizimi, janë shenjë e pranisë së Zotit në Kishë


Jo organizimi e programimi i përsosur, por “gëzimi e paqja” janë shenja e pranisë së Zotit në Kishë: kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.RealAudioMP3
Në Ungjillin e Lukës, dishepujt e Krishtit, entuziastë, bëjnë programe për të ardhmen e Kishës, që sapo lind, diskutojnë kush është më i madhi ndër ta e u pengojnë të tjerëve të bëjnë mirë, sepse nuk ishin pjestarë të grupit, që ndiqte Jezusin. Por Biri i Zotit i çudit, duke ua zhvendosur vëmendjen nga organizimi tek fëmijët. “Kush është më i vogël ndër ju – u thotë – ai është më i madhi!” Në leximin e parë të liturgjisë së sotme, profeti Zakaria flet për shenjat e pranisë së Zotit. Ato nuk janë ndonjë organizatë e bukur, theksoi Papa Françesku, as ndonjë qeverisje e përsosur, por janë të moshuarit nëpër sheshe e të vegjlit, që luajnë. Ka rrezik që shoqëria t’i mënjanojë pikërisht të moshuarit e fëmijët, por dënimi i Jezusit për ata, që shkandullojnë të vegjlit, është i fuqishëm:
“E ardhmja e një populli është pikërisht këtu, në të vegjlit e në të moshuarit. Një popull, që nuk kujdeset për pleqtë e vet e për fëmijët nuk ka të ardhme, sepse nuk do të ketë as kujtesë e as premtime për t’u plotësuar! Të moshuarit dhe fëmijët janë e ardhmja e një populli! Sa e lehtë është t’i mënjanojmë, apo jo? Fëmijët i qetësojmë me një karamele, me një lojë: ‘Shko,shko; luaj, luaj’. E të moshuarit nuk i lëmë të flasin, nuk i dëgjojmë: ‘Janë pleq, të shkretët…’”.
Dishepujt, vazhdoi Papa, nuk e kuptonin Krishtin, kur u thoshte të bëheshin si fëmijët:
“I kuptoj, dishepujt donin fryte, donin që Kisha të ecte përpara pa probleme e kjo mund të kthehet në tundim për Kishën: Kisha e funksionalizmit! Kisha e mirëorganizuar! Gjithçka në vendin e vet, por pa kujtesë e pa premtime! Kështu, Kisha nuk e ka jetën e gjatë: bëhet Kisha e luftës për pushtet, bëhet Kisha e xhelozive ndërmjet të pagëzuarve e shumë gjëra të tjera”.
Gjallëria në Kishë, theksoi me forcë Papa Françesku, nuk matet me dokumente e me mbledhje për të planifikuar e për t’i bërë mirë punët. Këto janë të nevojshme, por nuk janë shenjë e pranisë së Zotit:
“Shenja e pranisë së Zotit është kjo, siç e tha vetë Hyji: ‘Pleq e plaka prapë do të rrinë në sheshe të Jerusalemit: secili do ta ketë në dorë shkopin për shkak të moshës së thellë! Sheshet e qytetit do të mbushen plot me meca e me cuca, që do të luajnë nëpër tregjet e tij!’ Loja na bën të mendojmë për gëzimin: është gëzimi i Zotit. E këta pleq, të ulur, me shkop në dorë, të qetë, na bëjnë të mendojmë për paqen. Paqe e gëzim: ky është ajri i Kishës!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.