Papa Françesku takon përfaqësuesit e besimeve fetare: kurrë të mos dorëzohemi përballë
dhimbjes së popujve
Sot Papa Françesku priti anëtarët e Komunitetit të Shën Egjidit dhe përfaqësuesit
e Kishave, të bashkësive kishtare dhe të besimeve të mëdha fetare të pranishme në
Romë për të marrë pjesë në takimin e 27-të për paqen, që organizon Shën Egjidit çdo
vit. Papa Françesku i falënderoi që kanë vijuar rrugën e hapur nga Gjon Pali II me
takimin e besimeve fetare në Asizit dhe i ftoi “të mbajnë ndezur llambën e shpresës,
duke u lutur e duke punuar për paqen”. Gjatë këtyre muajve
ndiejmë se bota ka nevojë për “shpirtin” që ka frymëzuar takimin e Asizit. Papa Françesku
kthehet me mendimin tek 1986, kur Gjon Pali II deshi që në qytezën e Umbrias të zhvillohej
një takim lutjeje mes udhëheqësve fetarë të të gjithë botës në emër të paqes: “jo
më kundër, por pranë njëri-tjetrit”. Bashkësia e Sant’Egidio-s qysh prej vitit 1986
organizojnë çdo vit një takimin mes feve. Gjatë fjalimit të tij Françesku i inkurajoi
anëtarët e Bashkësisë së Shën Egjidit që të vijojnë udhën e hapur nga i Lumi Vojtila: “Jo,
nuk mund të dorëzohemi kurrë përballë dhimbjes së popujve të tërë, që janë peng i
luftës, i mjerimit dhe i shfrytëzimit. Nuk mund të rrimë indiferentë e duarlidhur
përballë dramës së fëmijëve, familjeve e pleqve të goditur nga dhuna. Nuk mund të
lejojmë që terrorizmi të burgosë zemrën e pak njerëzve të dhunshëm, që mbjellin dhimbje
e vdekje për shumë vetë. Në mënyrë të veçantë themi me forcë, të gjithë, pandarë,
që nuk mund të ketë asnjë shfajësim fetar për dhunën, sido që ajo të shfaqet”. Françesku
kujtoi çfarë ka thënë Benedikti XVI para dy vitesh, kur u kremtua 25-vjetori i Asizit:
“Duhet zhdukur çdo formë e dhunës që ushtrohet nën shtysa fetare e duhet bërë kujdes
së bashku, që bota të mos bjerë pre e asaj dhune që gjendet në çdo projekt qytetërimi
i cili mbështetet mbi “jo”-në ndaj Hyjit: “Si përgjegjës të besimeve të ndryshme
fetare mund të bëjmë shumë. Paqja është përgjegjësi e të gjithëve. Të punojmë për
paqen, të punojmë për paqen! Një udhëheqës fetar është gjithmonë njeri i paqes, sepse
urdhri për paqe gjendet i shkruar thellë në traditat fetare që përfaqësojmë”. Çfarë
duhet bërë? - i pyet Françesku të pranishmit. Duke u nisur nga titulli i kuvendit,
përgjigja e Papës është e qartë: guximi për dialog, që jep shpresë. Pa dialog, paqja
është e vobektë dhe “dilet me zor nga horizonti i ngushtë i interesave personale,
për t’u hapur ndaj një ballafaqimi të sinqertë e të vërtetë”: “Dialogu e mund
luftën. Dialogu bën të bashkëjetojnë qytetarë me prejardhje të ndryshme etnike, me
bindje të ndryshme. Dialogu është rruga e paqes, sepse dialogu përkrah mirëkuptimin,
harmoninë, bashkimin, paqen. Për këtë arsye është jetike që të rritet dhe, ndër njerëzit
e çdo shtrese dhe me çdo bindje të shtrihet një rrjetë paqeje, që mbron botën e mbi
të gjitha mbron më të dobtët”. Duke përfunduar, Françesku i nxit të gjithë
udhëheqësit fetarë, që janë të thirrur për të qenë “dialogues” të vërtetë, për të
ndërtuar paqen si ndërmjetësues e jo si ndëmjetës, sepse, nëse ndërmjetësit kërkojnë
e fitojnë për vete, ndërmjetësuesit dhurohen bujarisht, gjersa shkrihen, për të arritur
vetëm një fitim: paqen: “Secili prej nesh është i thirrur për të qenë zejtar
i paqes, duke bashkuar e jo duke përçarë, duke e shuar urrejtjen e jo duke e mbajtur,
duke hapur rrugët e dialogut e jo duke ngritur mure të reja! Dialog, takim, për të
vendosur në botë kulturën e dialogut, kulturën e takimit”. Ndërsa për Sirinë,
Lindjen e Mesme dhe shumë vende të botës, Papa kërkon lutje. Urimi i tij është që
“guximi i paqes t’i japë guximin e shpresës botës, atyre që vuajnë për shkak të luftërave
dhe të rinjve që shohin me shqetësim të ardhmen e tyre.