2013-09-30 15:21:47

Kirograf i Papës për ngritjen e një Këshilli kardinjash, që do të ndihmojnë Atin e Shenjtë në qeverisjen e Kishës


U publikua sot një Kirograf i Papës Françesku, pra, një dokument i shkruar me dorën e Atit të Shenjtë, me të cilin vendoset ngritja e një Këshilli kardinajsh, që do ta ndihmojnë Papën në qeverisjen e Kishës universale, si edhe do të studiojnë një plan për rishikimin e Kushtetutës Apostolike “Pastor Bonus” të Kuries Romake.
Ati i Shenjtë vë kështu në jetë një nga sugjerimet e kardinjave gjatë mbledhjeve të përgjithshme para Konklavit. Kujtojmë se Papa Bergolio lajmëroi për formimin e këtij grupi, duke dhënë edhe emrat e anëtarëve, që më 13 prill, por me Kirografin e sotëm, ky grup ngrihet në rangun e “Këshillit të kardinajve”. Deri tani, numri i anëtarëve është tetë, por Papa i rezervon vetes të drejtën ta ndryshojë, t’i thërrasë për këshillim veç e veç, ose të gjithë bashkë, për argumentet, që do ta shohë të arsyeshme. Mbledhja e parë e Këshillit të kardinjave do të fillojë nesër e do të vazhdojë deri më 3 tetor.







All the contents on this site are copyrighted ©.