2013-09-29 17:31:57

Shenjtorët e javës 29 shtator – 6 tetor 2013


Sot, në të dielën e 26 të vitit kishtar C, Kisha Katolike përkujton Kryeengjëjt Mikel, Gabriel e Rafael. Është edhe festa e Radio Vatikanit, e cila ka për Pajtor qiellor shën Gabrielin Kryeengjëll.

Nesër, e hënë, 30 shtator, përkujtohen shën Jeronimi, meshtar e doktor i Kishës, si edhe shën Françesk Borxhia. Liturgjia e ditës na kujton se feja është baza e marrëdhënieve tona me Zotin.

Të martën, më 1 tetor, Kisha Katolike kremton festën e shën Terezës së Krishtit Fëmijë, virgjër e dijetare e Kishës. Njëkohësisht, përkujtohet i Lumi atë Luigj Monti, bijtë e të cilit mbajnë sot në Tiranë ambulancën dhe universitetin e spitalin e Zojës së Këshillit të Mirë.

Të mërkurën, 2 tetor, kremtohen Engjëjt e Rojes. Bibla thotë se Zoti do t’u japë urdhër engjëjve të vet t’i ruajnë njerëzit në udhët e jetës. Kisha kremton edhe festën liturgjike të të lumit Antonio Shevrier.

Më 3 tetor, ditën e enjte, përkujtohen shën Gerardi i Bronjës, shën Kandida, shën Dionizi dhe i Lumi Luigji Talamoni. Liturgjia vë në dukje se dishepujt e Jezusit do të jenë si engjëjt në mesin e ujqërve, armatosur vetëm me besimin në Provaninë Hyjnore e në mbështetjen e Zotit.

Më 4 tetor, ditën e premte, kremtohet shën Françesku i Asizit, ngjarje e shënuar edhe për besimtarët shqiptarë, për hir të lidhjes së ngushtë me françeskanët, bijtë e Shën Françeskut, shpërndarë kudo në trevat shqiptare. Gjithashtu, përkujtohet edhe shën Petroni.

Të shtunën, 5 tetor, bie festa e shën Faustina Kovalskës, shën Plaçidos, dhe të Lumit Bertolo Longo. “Emrat tuaj janë të shkruar në qiell”, u thotë Jezusi atyre, që e kumtojnë me gëzim Mbretërinë e Hyjit.

Të dielën, e 27-ta gjatë vitit kishtar, përkujtohen shën Bruno e shën Fede. 6 tetori është edhe Dita Botërore e të Moshuarve. Të lutemi që Zoti t’i mbështesë të moshuarit e t’ua bëjë më të lehtë çdo vështirësi. T’i ndihmojmë edhe ne vetë, duke bërë një gjest të bukur për një të moshuar, në këtë ditë.








All the contents on this site are copyrighted ©.