2013-09-29 13:58:04

Papa Françesku kremton meshën me katekistët: kush nuk kujdeset për ta kujtuar Zotin, shpërfytyrohet. Në Engjëllin e Tënzot, lutja për paqen në Siri


Katekisti është ai që ushqen e rizgjon tek të tjerët “kujtimin e Zotit”, pa të cilin njeriu ka rrezik ta boshatisë shpirtin e të bëhet i ngjashëm me pasanikun e Ungjillit të sotëm, i cili mendonte veç për vete. Ky qe thelbi i homelisë së Papës Françesku, në meshën e kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, para rreth 100 mijë besimtarëve, ardhur nga e gjithë bota në Vatikan për Ditën e Katekistëve.RealAudioMP3
Që në fillim të homelisë, Ati i Shenjtë prek një argument, të cilin po e trajton prej kohësh: ç’ndodh me të krishterët, kur, si pasaniku i Ungjillit, mendojnë vetëm për pasurinë e tyre e s’ua hedhin sytë sa e sa nevojtarëve, që u kërkojnë ndihmë? Pyetja e Papës mbetet pezull për disa çaste mbi qiellin e Romës, mbuluar me re që paralajmëronin shi, krejtësisht në përkim me tonin e rëndë, me të cilin, jo si zakonisht, Ati i Shenjtë e filloi reflektimin e vet. Kujtoi Amosin profet, që u lëshon anatema atyre njerëzve të Sionit, që “hanë, pinë, këndojnë, argëtohen e nuk shqetësohen për problemet e të tjerëve”. Këta njerëz, theksoi Papa Françesku, një hap i ndan nga humnera e shpërfytyrimit:
“Nëse gjërat, paratë, kjo botë, bëhen qendra e jetës, na rrëmbejnë, na zotërojnë e ne e humbim identitetin tonë si njerëz. Vëreni me kujdes: i pasuri i Ungjillit nuk ka emër, është thjesht “një pasanik”. Sendet, pasuria që zotëron, janë fytyra e tij, s’ka tjetër”.
Këta njerëz të shpërfytyruar, që e kanë lejuar pasurinë t’u rrëmbejë humanitetin, vazhdoi Papa, kanë një mangësi të përbashkët, nuk e kujtojnë më Zotin:
“Nëse mungon kujtimi i Hyjit, gjithçka vendoset në të njëjtin rrafsh, gjithçka përqendrohet tek ‘uni’ personal, tek mirëqënia e tij. Jeta, bota, të tjerët, e humbasin rëndësinë, nuk vlejnë më asgjë, gjithçka reduktohet në një përmasë të vetme: pasja. Nëse e humbim kujtimin e Zotit, edhe ne vetë e humbasim rëndësinë, edhe ne boshatisemi, shpërfytyrohemi si pasaniku i Ungjillit! Kush vrapon pas asgjësë, bëhet ai vetë asgjë, thotë një profet tjetër i madh, Jeremia. Ne jemi krijuar në shembëlltyrë e në përngjasim me Zotin, jo në shembëlltyrë e në përngjasim me sendet, me idhujt!”.
Në ballafaqimin e këtyre kundërshtive, del e qartë figura e katekistit, të cilin Papa Françesku e përvijoi si atë, që ruan dhe ushqen kujtimin e Zotit, duke e lënë veten të udhëhiqet prej Tij e duke e rizgjuar në të tjerët. Modeli për t’u ndjekur, sipas Atit të Shenjtë, është Zoja e Bekuar, e cila pasi dëgjoi lajmërimin e engjëllit, nuk mendoi as se po nderohej e as se po fitonte prestigj, por u nis për të ndihmuar kushërirën e saj, Elizabetën. Duke i lartuar Hyjit “Magnificat”-in e saj, ajo s’bëri tjetër, veçse kujtoi veprimin e Zotit në jetën e vet:
“Katekisti është i krishterë, që e vë këtë kujtim në shërbim të kumtimit të Ungjillit; jo për t’u dukur, jo për të lavdëruar vetveten, por për të folur për Zotin, për dashurinë e Tij, për besnikërinë e Tij. Për të folur e për të transmetuar gjithçka Zoti i ka zbuluar, pra, doktrinën e plotë të fesë, pa hequr e pa shtuar gjë”.
Vetë katekizmi, shtoi Papa Françesku, s’është tjetër veçse kujtimi i Zotit, kujtim i veprimit të Tij në histori, i afrimit të Tij me ne në Krishtin, i pranishëm përmes Fjalës, Sakramenteve, Kishës e dashurisë së Tij. Prej këndej rrjedhin tiparet e katekistit, që përshkroi në fund të homelisë Ati i Shenjtë:
“Katekisti është njeri, që e kujton Zotin, nëse ka marrëdhënie të vazhdueshme, jetësore me Të e me të afërmin; nëse është njeri i fesë, që i beson vërtet Zotit dhe e lë në duart e Tij sigurinë e vet; nëse është njeri i bamirësisë, i dashurisë, që i sheh të gjithë si vëllezër; nëse është njeri i ‘hypomoné’, i durimit, i këmbënguljes, që di të përballojë vështirësitë, sprovat, humbjet, me qetësi e shpresë në Zotin; nëse është njeri i butë, i aftë për mirëkuptim e mëshirë”.
Para bekimit përfundimtar, kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela, i paraqiti Papës Françesku katekistët e ardhur në Romë nga e gjithë bota, ndër të cilët edhe një grup nga Shqipëria, me në krye ipeshkvin e Sapës, imzot Lucian Avgustinin. Ata, tha imzot Fizikela, janë shenjë e prekshme se krishterimi është i gjallë e vazhdon të kumtohet në të katër anët.
Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, pas meshës, Papa Françesku përshëndeti disa nga të pranishmit, por njëra nga përshëndetjet u prit me duartrokitje të gjata e me emocion, pasi u kujtoi të gjithëve gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme:
“Një përshëndetje të veçantë për vëllain tim, Fortlumturinë e Tij Juhana X, Patrik greko-ortodoks i Antiokisë e të gjithë Lindjes. Prania e tij na fton të lutemi sërish për paqen në Siri e në Lindjen e Mesme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.