2013-09-27 16:07:13

50 vjetori i enciklikës “Pacem in terris”. Ja kremtimet në Vatikan për tri ditë


Në sallën e shtypit në Vatikan u paraqiten tri Ditët Kremtuese të 50-vjetorit të botimit të Enciklikës ”Pacem in terris” të të Lumit Gjoni XXIII, që do të mbahen më 2-4 tetor në Vatikan. Në takimin me gazetarët ishin të pranishëm President i Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe, kardinali Peter Kodwo Turkson dhe Imz. Mario Toso, sekretar i të njëjtit dikaster. RealAudioMP3
Ndër temat që spikatën në konferencë ishte ajo e nevojës për reformë në OKB, reformë që, sipas Kard. Turkson, duhet t’u bëjë të mundur të gjithë anëtarëve të kenë një zë të rëndësishëm në realizimin e të mirës së përbashkët të të gjithëve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe temës së përndjekjes së të krishterëve pas fakteve të freskëta të dhunës në Kenia e në Pakistan. Kard. Turkson kërkon që, sikurse është vepruar për ligjin antishpifje, të punohet në rangun e OKB-së edhe për një ligj në mbrojtje të të krishterëve dhe të pakicave fetare:
“Fatkeqësisht këto përndjekje bëhen të njohura nga mediat, por pastaj harrohen. Ati i Shenjtë ka thënë se Kisha është një e vetme, prandaj na fton ta ndiejmë veten të përndjekur si ata që janë vërtet të përndjekur”.
Ka ngjallur shqetësim edhe gjendja e të krishterëve në ato vende të Lindjes së Mesme, si Siria, që po përjetojnë të ashtuquajturën “pranverë arabe”, për të cilën u tha:
“Nuk duket se është vetëm kryengritje kundër një diktatori, por një kryengritje e ndikuar kryesisht nga përpjekja për të përhapur një variant të Islamit”.
Nën nxitjen e gazetarëve, presidenti i Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe ka komentuar edhe sinjalet e vona të qetësimit që kanë ardhur nga presidenti i ri iranian Rohani në lidhje me armët bërthamore dhe me marrëdhëniet me Izraelin:
“Nuk kam asnjë arsye për të dyshuar mbi sinqeritetin e këtyre fjalëve. Duhet parë a do të përkojnë veprimet e tij me çfarë ka thënë”.
Imz. Toso ka theksuar edhe një herë se, që nga Gjoni XXIII deri tek Papa Françesku në lutjen e fundit për paqen, Kisha e ka bërë të qartë se sot nuk është më e udhës të flitet për “luftë të drejtë”:
“Në epokën bërthamore nuk mund të përfytyrohet realizimi i një ‘lufte të drejtë’ duke përdorur mjete bërthamore. Problemi nuk është të armatosësh apo jo. Problemi është si të vendoset paqja”.
“Pacem in terris”, shtoi Imz. Toso, “Na ndihmon të mbrojmë Shtetin e së drejtës, sepse na paraqet listën më të plotë të të drejtave dhe detyrave të njeriut”. Pastaj bëri këtë denoncim:
“Një shëmbëllim i tillë i shtetit është vënë në krizë sot nga dhunimet e hapta që bëhen pikërisht në vendet, të cilat i kanë kodifikuar ato me kushtetutë. Sot ka vende që, duke parë se si po zvogëlohen dukshëm aftësinë e tyre për të caktuar përparësitë e ekonomisë e për të ndikuar mbi dinamizmat financiare ndërkombëtare, bëjnë ligjin në çështje të bioetikës, pa mbajtur parasysh ligjin moral natyror”.
Ndër temat e tjera që u shqyrtuan ishin: uji i pijshëm, kolonializmat e rinj, puna, kriza ekonomike e mbi të gjitha morale, urgjenca edukative, formimi i brezave të rinj të katolikëve në politikë. Këto janë çështjet që do të shqyrtojnë më 2-4 tetor përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, docentë universitarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.