2013-09-26 15:08:09

Papa Françesku: Do ta njohësh Jezusin? Rri me të!


Për të njohur Jezusin duhet të lidhesh me të. Kështu tha Papa Françesku në Meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. “Jezusi, - tha Papa – nuk mund të njihet në ‘klasën e parë’, por në jetën e përditshme”.
Papa e ka nisur përsiatjen e tij nga pyetja e Herodit rreth Jezusit: “Kush është ai e nga vjen?” dhe ka vijuar duke thënë se këtë pyetje e shtrojnë të gjithë ata që e takojnë Jezusin. “Është një pyetje që mund të bëhet nga kureshtja ose për t’u siguruar” – thotë Papa, - dhe shton se “duke lexuar Ungjillin shohim se disa veta fillojnë të kenë frikë prej këtij njeriu, sepse mund t’i fusë në përplasje politike me romakët. Po kush është ky që po shkakton kaq probleme?” – pyet. Sepse, me të vërtetë, thotë papa, “Jezusi bën probleme”:
“Nuk mund të njihet Jezusi po pasur probleme. Madje mund të them: ‘Nëse ke dëshirë të kesh probleme, merr rrugën për të njohur Jezusin! Jezusi nuk mund të njihet në klasë të parë! Jezusi njihet në rrjedhën e përditshme, të të gjitha ditëve. Nuk mund të njihet Jezusi në rehati, as në bibliotekë... Të njohësh Jezusin!”
Sigurisht, shtoi Papa, “Mund të njihet me anë të Katekizmit”, sepse “Katekizmi na mëson shumë gjëra mbi Jezusin”. Katekizmi duhet studiuar e mwsuar. Duke studiuar Katekizmin, “njohim Birin e Hyjit, që ka ardhur për të na shpëtuar. Kuptojmë tërë bukurinë e historisë së shëlbimit, të dashurisë së Atit”. Megjithatë, saktësoi, sa vetë e kanë lexuar Katekizmin e Kishës Katolike qysh se është botuar para 20 vjetësh?
“Po, Jezusi duhet njohur me anë të Katekizmit, por nuk mjafton ta njohësh me anë të mendjes. Ky është një hap. Jezusi duhet njohur duke biseduar me Të, duke folur me Të, duke u lutur, në gjunjë. Nëse nuk lutesh, nëse nuk flet me Jezusin, nuk e njeh. Ti di gjëra për Jezusin, por nuk ke atë njohje që të jep zemra me anë të lutjes. Ta njohësh Jezusin me anë të mendjes, të studimit të Katekizmit; ta njohësh Jezusin me zemër, në lutje, duke biseduar me Të. Kjo na ndihmon mjaft, por jo mjaftueshëm. Ka edhe një rrugë të tretë për ta njohur Jezusin: është ndjekja. Të shkosh me Të, të ecësh me Të”.
Më tej Papa ka shtuar se është e domosdoshme ta njohësh Jezusin me gjuhën e veprimit. Janë tri gjuhët që nevojiten për të njohur Jezusin: gjuha e mendjes, e zemrës dhe e veprimit. Nëse e njoh Jezusin kështu, tha Papa, atëherë “jam i lidhur me Të.
Nuk mund të njihet Jezusi pa u lidhur me Të. Kur shumë njerëz e pyesin veten, e bashkë me ta edhe ne: ‘Po kush është ky?’, fjala e Hyjit na përgjigjet: ‘A do tw dish kush është ky? Lexo çfarë të thotë kisha për Të, fol me Të në lutje dhe ec me Të udhës së Tij. Kështu do të njohësh kush është ky njeri. Kjo është rruga! Secili duhet të bëjë zgjedhjen e vet!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.