2013-09-26 15:39:20

Filloi në Romë Kongresi ndërkombëtar i katekistëve. Me ne, imzot Ruiz Arenas


Janë 1600, katekistët, veprimtarët baritorë, pedagogët dhe ekspertët e formimit e të edukimit të krishterë, të cilët ndodhen, që sot e deri të shtunën, në Sallën e Palit VI në Vatikan, për Kongresin ndërkombëtar të Katekizmit. Tema e kësaj radhe, në kuadrin e Vitit të Fesë, që po përfundon, është “Katekisti, dëshmitar i fesë” dhe synon të reflektojë mbi pjesën e parë të Katekizmit të Kishës Katolike. Nesër, Papa Françesku do t’u ofrojë pjesëmarrësve një katekizëm të tij, ndërsa të dielën, do të kremtojë meshën me ta në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Punimet e Kongresit i hapi sekretari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Oktavio Ruiz Arenas. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri – i cili është ngarkuar nga Papa Benedikti XVI për të ndjekur katekizmin – ka organizuar, në kuadrin e Vitit të Fesë, një Kongres ndërkombëtar katekizmi, me qëllim rinovimin dhe nxitjen e dëshirës për ta njohur më mirë Katekizmin e Kishës Katolike. Ky Kongres synon të thellohet sidomos në pjesën e parë: në misterin e zbulesës së Hyjit e në nevojën për ta transmetuar fenë me “besnikëri”. Zoti e kërkon njeriun në çdo çast dhe e zbulon misterin e Vet; një mister dashurie, mëshire e shëlbimi. Kisha e ka për detyrë ta kumtojë këtë mesazh për t’i ndihmuar njerëzit në udhën e shëlbimit.
Sot, katekistët që veprojnë në botë, janë mëse tre milion. Cili është realiteti i tyre?
Kisha i ka vlerësuar gjithnjë katekistët, të cilët mund t’i konsiderojmë si bashkëpunëtorët kryesorë të meshtarëve në transmetimin e fesë. Madje, shumë katekistë kanë arritur ta ruajnë fenë të gjallë në shumë rrethana, për shembull, gjatë persekutimeve, ose kur kanë munguar meshtarët e rregulltarët. Prandaj, katekistët duhen inkurajuar, sepse bëjnë një punë të jashtëzakonshme e me rëndësi të madhe në Kishë. Kanë nevojë për një përgatitje serioze e ky është një nga qëllimet e Kongresit: të nënvizojë se katekistët kanë nevojë për formim, jo vetëm nga pikpamja e përmbajtjes, por sidomos për të pasur një jetë, që dëshmon ato të vërteta, të cilat ata duan t’ua përçojnë të tjerëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.