2013-09-25 17:48:06

Të lutemi pa pushim për paqen në Siri, në Liban dhe në Lindjen e Mesme: kështu Papa në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës


Turpi para Zotit, lutja për të kërkuar Mëshirën Hyjnore e besimi i plotë në Zotin. Këto janë pikat kryesore, rreth të cilave u shtjellua homelia e Papës Françesku sot paradite, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Bashkëkremtuan me Atin e Shenjtë edhe prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, patriku i Antiokisë së Maronitëve, Beshara Raji, në praninë e një grupi ipeshkvijsh maronitë, ardhur nga Libani, nga Siria, Toka e Shenjtë e nga vende të ndryshme të kontinentit.
Duke komentuar liturgjinë, sidomos Librin e Esdrës, Ati i Shenjtë e përmblodhi mendimin e tij në tri koncepte kryesore. Së pari, turpi e konfuzioni i Esdrës para Zotit, deri në atë pikë, sa të mos ngrinte dot sytë për ta parë. Është turpi dhe konfuzioni i ne të gjithëve, nënvizoi Papa, për mëkatet, që na çojnë drejt skllavërisë së idhujve, të cilëve u shërbejmë, në vend që t’i shërbejmë Zotit.
Lutja qe koncepti i dytë, ku u përqendrua homelia e Atit të Shenjtë. Edhe ne, tha Papa Françesku, duhet të ndjekim shembullin e Esdrës, i cili ngre duart kah Zoti, duke i kërkuar mëshirë. E tillë duhet të jetë lutja për paqen në Liban, në Siri e në të gjithë Lindjen e Mesme, theksoi Papa Bergolio. Kjo është rruga për të kapërcyer çastet e vështira, sprovat më dramatike, edhe atëherë kur errësira rreth nesh na duket e thellë dhe e ardhmja, e paparashikueshme.
E së fundi, besim absolut në Zotin, që nuk na braktis kurrë. Ky ishte koncepti i tretë i paraqitur nga Ati i Shenjtë, i cili nënvizoi me forcë sigurinë se Zoti është gjithnjë me ne, prandaj duhet të ecim me guxim, me shpresë në udhën e treguar prej Tij.
Pas kungimit, kardinali Beshara Raji falenderoi Papën për mbështetjen e tij në udhën e vështirë të Lindjes së Mesme dhe për nxitjen, që i dha kërkimit të paqes me lutjen në sheshin e Shën Pjetrit, ku mijëra zëra u ngritën për të kërkuar të mos përdoren armët në Siri e në të gjithë zonën.







All the contents on this site are copyrighted ©.