2013-09-25 15:17:34

Papa në audiencën e përgjithshme: Kisha është po ajo kudo në botë, nuk duhet të përpiqemi ta “privatizojmë”


Kudo ku shkojmë në botë, ka një Kishë të vetme për të gjithë. Kështu theksoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur plot me besimtarë, si çdo të mërkurë. Papa kërkoi që asnjë grup të mos e “privatizojë” Kishën, duke e paraqitur vetëm si të vetën. “Kisha – tha Ati i Shenjtë, duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës arabe – nuk do të thotë uniformitet, por bashkim në dashurinë e në dëshminë e Krishtit”.
Flamuj nga të gjitha vendet, njerëz me tipare nga më të ndryshmet, gjuhë nga vende të largëta, ishin të pranishme edhe sot në Sheshin e Shën Pjetrit, që bëhet gjithnjë e më i madh, çdo të mërkurë, pasi kufijtë e masës së besimtarëve i kapërcejnë kufijtë e shtyllave të Berninit. E Papa Françesku foli pikërisht për një Kishë pa kufi, që përqafon gjithë botën, shpërndarë në 3 mijë dioqeza, por që mbetet gjithnjë një e vetme për të gjithë. Ky bashkim, nënvizoi Ati i Shenjtë, bazohet në fenë, në shpresën e në bamirësinë e krishterë, në Sakramentet, të cilat janë shtyllat, që mbajnë ndërtesën e madhe e të vetme të Kishës:
“Kudo të shkojmë, edhe në famullinë më të vogël, në skajin më të humbur të kësaj toke, gjejmë një Kishë të vetme; jemi në shtëpinë tonë, jemi në familje, jemi mes vëllezërish e motrash. E kjo është dhuratë e madhe e Zotit! Kisha është një e vetme për të gjithë. Nuk ka një Kishë për evropianët, një për afrikanët, një për amerikanët, një për aziatikët, një për kë jeton në Oqeani… jo, është e njëjta, kudo”.
Kisha është si familje, vazhdoi Ati i Shenjtë. Mund të jemi larg, të shpërndarë nëpër botë, por anëtarët e familjes mbeten të lidhur me njëri-tjetrin, pavarësisht nga distanca. Pastaj, Papa përmendi DBR-në e Rios, ku ndërmjet të rinjve, mbledhur në plazhin e Kopakabanës, ndihej bashkimi i thellë, Kisha e vetme:
“Të gjithë, ta pyesim veten: unë, si katolik, a e ndjej këtë bashkim? Unë, si katolik, a e jetoj këtë bashkim në Kishë? Apo nuk më intereson, sepse jam i mbyllur në grupin tim të vogël, ose në vetvete? Mos jam vallë nga ata, që e ‘privatizojnë’ Kishën për grupin e tyre, për kombin, apo për miqtë e tyre? Është tepër e trishtë të gjesh një Kishë të privatizuar për shkak të egoizmit dhe mungesës së fesë, eh? Është trishtim i vërtetë!”
“Kur dëgjoj sa vuajnë të krishterët në botë – pyeti më tej Ati i Shenjtë – jam indiferent, apo ndjej se po vuan një person i familjes?” Sa më rreh zemra për persekutimin e vëllezërve të mi në fe?
“Po ju bëj një pyetje, por mos u përgjigjni me zë të lartë, vetëm me zemër. Sa prej jush luteni për të krishterët, që persekutohen? Sa? Secili prej jush të përgjigjet me zemër. ‘A lutem unë për atë vëlla, për atë motër, që ndodhet në vështirësi, sepse dëshmon dhe mbron fenë e vet?’ Është e rëndësishme të shohim përtej rrethit personal, të ndjehemi Kishë, familje e vetme e Zotit!”
Papa Françesku foli pastaj për të çarat, që ne vetë i shkaktojmë unitetit, përmes keqkuptimeve, konflikteve, tensioneve e ndarjeve. Kishës, tha Ati i Shenjtë, i hapen plagë e atëherë, merr një fytyrë, që nuk na pëlqen. Që këndej, denoncimi i Papës:
“Zoti na jep bashkimin, por ne, shpesh, e kemi të vështirë ta jetojmë. Duhet ta kërkojmë, ta krijojmë bashkimin, të edukohemi me të, të kapërcejmë keqkuptimet dhe ndarjet, duke filluar nga familja, nga realiteti kishtar, nga dialogu ekumenik… Bota jonë ka nevojë për unitet. Jetojmë në një epokë, në të cilën të gjithë kemi nevojë për unitet, kemi nevojë për pajtim, për bashkim e Kisha është Shtëpia e bashkimit”.
Papa përvijoi udhën e Kishës për ta ruajtur bashkimin. Kjo udhë, tha ai, kalon nga përvuajtëria, ëmbëlsia dhe shpirtmadhësia:
“Pasuria e gjërave, që na bashkojnë! Eh, ajo është pasuria e vërtetë: ç’na bashkon, jo ç’na ndan. Ajo është pasuria e Kishës. Secili prej nesh, le ta pyesë veten sot: a kontribuoj në bashkimin në familje, në famulli, në bashkësi, apo jam llafazan, thashethemaxhi, jam shkak për ndarje, për shqetësime?”
Kishës, vazhdoi Papa, i bëjnë keq thashethemet:
“Thashethemet vrasin me pambuk. I krishteri, para se të bëjë thashetheme, duhet të kafshojë gjuhën! Po apo jo? Eh, ta kafshojmë gjuhën! Do të na bënte shumë mirë, se gjuha fryhet e nuk mund të flasim, nuk mund të bëjmë thashetheme. A jemi aq të përvuajtur sa t’i shërojmë me durim, me sakrificë, plagët e bashkimit?”
Papa Bergolio e përfundoi katekizmin e sotëm, duke nënvizuar se Shpirti Shenjt është motorri i bashkimit të Kishës. Shpirti Shenjt është harmonia e Kishës, harmonia ndërmjet kulturave, gjuhëve e mendimeve të ndryshme:
“Është Shpirti Shenjt, motorri. Prandaj ka rëndësi lutja, që është shpirti i impenjimit tonë, si burra e gra të bashkimit, të unitetit. T’i lutemi Shpirtit Shenjt që të vijë e të krijojë unitet në Kishë”.
Si gjithnjë, qenë të shumtë grupet nga e gjithë bota, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndër ta, edhe një grup prej dhjetë imamësh myslimanë nga Franca, të cilët e përshëndetën Papën Françesku në fund të audiencës.







All the contents on this site are copyrighted ©.