Papa: Sakramenti nuk është rit magjik, është takim me Jezusin që na pret
Jezusi na pret gjithmonë, kjo është përvuajtëria e Zotit. Kështu pohoi Papa Françesku
sot paradite në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa u nis nga Psalmi
“Të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Hyjit”, për të nënvizuar se Sakramenti nuk është
rit magjik, por takim me Jezusin, që na shoqëron në jetë: “E si në çastet e
vështira, ashtu edhe në çastet e bukura, ka diçka që nuk ndryshon: Zoti është aty,
kurrë nuk e braktis Popullin e Vet! Sepse Zoti, ditën e mëkatit, të mëkatit të parë,
mori një vendim, zgjodhi ta bëjë historinë me Popullin e Vet. E Hyji, që nuk ka histori,
sepse është i amshuar, deshi ta bëjë historinë e të ecë pranë Popullit të Vet. Por
ka edhe më: u bë njëri prej nesh, si ne, eci bashkë me ne, në Jezusin. E kjo na flet
për përvuajtërinë e Zotit”. Madhështia e Hyjit është pikërisht përvuajtëria
e Tij, vazhdoi Papa. Kur populli u largua prejt Tij për në udhën e mëkatit, Zoti ishte
aty dhe e priste. Edhe Jezusi erdhi për të ecur me Popullin e Zotit, me mëkatarët,
me kryelartët, për t’i ndihmuar zemrat e tyre të shërohen e të kthehen: “Përvuajtëri.
Zoti na pret gjithmonë. Zoti është krah nesh, ecën me ne, është i përvuajtur: na pret
gjithmonë. Jezusi na pret gjithmonë. Kjo është përvuajtëria e Zotit. E Kisha i thur
lavde me gëzim kësaj përvuajtërie të Hyjit, që na shoqëron, siç themi në Psalm. ‘Do
të shkojmë me gëzim në Shtëpinë e Zotit’: shkojmë me gëzim, sepse Ai na shoqëron,
Ai është me ne. Zoti Jezus shoqëron edhe jetën e secilit: me Sakramentet. Sakramenti
nuk është rit magjik: është takimi me Jezu Krishtin, takohemi me Zotin. Ai është pranë
nesh e na shoqëron”. Zoti – Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë – janë shokë udhe
në historinë e njerëzimit, shtoi Papa Françesku. Shpirti i Shenjtë na dikon në zemër
gjithçka duhet të dimë, na bën ta ndjejmë se udha me Hyjin është e bukur dhe e drejtë: “E
nëse Zoti hyn në historinë tonë, të hyjmë pak edhe ne në historinë e Tij, ose, së
paku, t’i lutemi për hirin që ta lejojmë ta shkruajë Ai historinë tonë. Kështu është
më e sigurtë”.