2013-09-24 14:20:50

Papa Françesku: emigrantët dhe refugjatët nuk janë gurë në fushën e shahut të njerëzimit


Emigrantët dhe refugjatët nuk janë gurë në fushën e shahut, ku luhet fati i njerëzimit. Ky është thelbi i mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 100-të Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që kremtohet më 19 janarin e ardhshëm dhe ka për temë: “Emigrantët dhe refugjatët: drejt ardhmërisë më të mirë”. Ati i Shenjtë denoncon shfrytëzimin e trafikun e njerëzve, u bën thirrje të gjitha vendeve të përballojnë së bashku vështirësitë, që lidhen me emigracionin, e së fundi, i fton të ndryshojnë qëndrim: nga paragjykimi e frika në kulturën e takimit.
Në epokën e globalizimit, Papa Françesku kërkon që emigracioni të shihet e të trajtohet ndryshe, duke u nisur nga bashkëpunimi ndërkombëtar dhe nga fryma e solidaritetit dhe e mëshirës. Shpresa për një botë më të mirë, shkruan Ati i Shenjtë, është e përbashkët për të gjithë njerëzimin, prandaj është e nevojshme që të gjithë të punojnë për një jetë më dinjitoze edhe për të tjerët. Bota mund të përmirësohet vetëm nëse i kushtohet vëmendje parësore njeriut, nëse promovohet ai në të gjitha përmasat, përfshirë atë shpirtërore, vetëm nëse kemi aftësinë për të kaluar nga kultura e mbeturinave në atë të takimit e mikpritjes.
Emigrantët e refugjatët, vazhdon Papa, nuk janë gurë shahu, por fëmijë, gra e burra, që detyrohen t’i braktisin shtëpitë e tyre për arsye nga më të ndryshmet. Solidaritetit dhe mikpritjes, shpesh u kundërvihen refuzimi, diskriminimi, trafiku e shfrytëzimi, dhimbja e vdekja. Ati i Shenjtë shqetësohet veçanërisht për të gjitha ato situata, ku emigracioni jo vetëm është i detyruar, por realizohet përmes trafikut kriminal të njerëzve, duke i shndërruar emigrantët në skllevër të epokës moderne.
Puna skllavëruese, denoncon Papa Bergolio, është monedha e sotme. Kisha nuk mund të heshtë para mjerimit, nga i cili ikin miliona njerëz, që shpesh, ndërsa shpresojnë të plotësojnë dëshirën për një jetë më të mirë, ndeshen me probleme, që cënojnë thellë dinjitetin e tyre. Duke cituar Benediktin XVI, Papa Françesku bën thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet vendeve nga nisen e ku përfundojnë emigrantët e refugjatët, pa harruar miratimin e normave ndërkombëtare për një çështje, që siç thotë Ati i Shenjtë, asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm.
Më pas, Papa argjentinas bën thirrje për krijimin e kushteve më të mira ekonomike në vendet nga vijnë emigrantët, që emigracioni të mos vazhdojë të jetë mundësia e vetme për kë kërkon paqe, drejtësi, siguri e respekt të dinjitetit njerëzor. Krijimi i mundësive të punës në ekonomitë lokale, shpjegon Ati i Shenjtë, do të shmangte ndarjen e familjeve e do t’u garantonte të gjithëve qetësi e qëndrueshmëri.
Së fundi, Papa kërkon të kapërcehen paragjykimet e frika ndaj emigrantëve, që ndihet shpesh në botën perëndimore, e cila, nganjëherë, e sheh ardhjen e nevojtarëve në tokën e vet, si të ishte dyndja e barbarëve. Ati i Shenjtë u bën thirrje mjeteve të komunikimit shoqëror të marrin përsipër përgjegjësinë e demaskimit të stereotipeve të rreme e të japin informacione të sakta, si kur denoncojnë gabimet e disa prej emigrantëve, ashtu edhe kur përshkruajnë ndershmërinë e shpirtmadhësinë e më të shumtëve prej tyre. “Fytyra e secilit – shkruan Papa Françesku – mban vulën e fytyrës së Zotit. Dinjiteti i njeriut nuk bazohet në kriterin e efikasitetit, të prodhimtarisë, të shtresës shoqërore, të përkatësisë etnike apo fetare, por në faktin se ai është krijuar në përngjasim e në shembëlltyrë me Zotin. Prandaj, emigranti nuk është thjesht problem për t’u zgjidhur, por vëlla për t’u pritur, rast që na jep Provania Hyjnore për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, të një demokracie më të plotë, të një vendi më solidar, sipas Ungjillit”. Emigracion, për Papën Françesku, do të thotë mundësi për ungjillëzimin e ri. Ashtu si në Familjen Shenjte të Nazaretit, kur iku nga Egjipti, përfundon Ati i Shenjtë, edhe në zemrën e emigrantit e të refugjatit të bëjë folenë siguria se Zoti nuk i braktis kurrë bijtë e Vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.